Lajme

KMDLNJ: Protesta e NJSI-së e drejtë, koha që krenarinë ta përkthejmë në përkrahje reale për Policinë


Këshilli për Mbrojtën e Drejtave e Lirive të Njeriut, përmes një reagimi për media ka bërë të ditur se protesta e njësitit më elitar të Policisë së Kosovës, i njohur si FIT ishte mirë e organizuar dhe pa asnjë provokim apo lëshim profesional.

“Me këtë protestë krejtësisht të drejtë, policët protestues nuk kërkojnë asgjë më shumë se realizimin e të drejtave të tyre ligjore dhe njerëzore që iu takojnë me ligjet në fuqi dhe dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. E veçanta e protestës ishte se u përjashtua çfarëdo ndikimi politik duke u identifikuar qartë si një protestë krejtësisht të karakterit ekonomiko –social”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

Sipas KMDLNJ-së, “nuk ka asnjë logjikë që ky segment i pazëvendësueshëm që garanton ekzistencën dhe qëndrueshmërinë e shtetit të mos ketë sigurime shëndetësore dhe jetësore në kohën kur 24 orë i ekspozohen rrezikut për jetë”.

KMDLNJ ka njoftuar se edhe më parë ka reaguar duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse të përmbushin këto kërkesa në mënyrë që ta ruajnë dhe forcojnë edhe më shumë profesionalizmin e Policisë së Kosovës që është njëra ndër shtyllat kryesore për ruajtje të sigurisë dhe funksionimit të shtetit.

Të mërkurën, pjesëtarët e NJSI-së protestuan duke kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa ka provuar të minimizojë protestën e pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese, ka thënë nëpërmjet një postimi në “Facebook” se secili pjesëtar i NJSI/FIT ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro e sivjet kanë pasur të ardhura më të larta sesa Presidentja e Kosovës.

Ai ka pretenduar se të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet kanë arritur shifruar e mbi 2 mijë e 200 eurove në muaj, përfshirë pagën bazë plus shtesat, derisa ka përmendur edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në muaj, përderisa vazhdojnë tensionet në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023). Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro.”, ka shkruar kreu i ekzekutivit të mërkurën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore