Shqipëria

‘Këshillimi Kombëtar’, Rama: Gati për zgjedhjet e 6 marsit, fokusi te pyetësori


“Shpërndarja e pyetësorit derë më derë do të realizohet e plotë deri më 22 shkurt. Ka pak ditë që ka nisur procesi dhe pjesëmarrja online ka shkuar në 23 mijë e 456 qytetarë”.

Kështu është shprehur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një mbledhjeje me Kryesinë e Kuvendit, për sa i përket nismës së tij të quajtur “Këshillimi Kombëtar”.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë theksoi faktin se anonimiteti i qytetarëve do të ruhet 100%.

“Ky proces mund të ketë pikëpyetje dhe të meta, ashtu sikundër pa dyshim do të ketë dhe kundërshti e do të marrë racionin e vet të baltës, por unë besoj fort se asnjë pikëpyetje, as në të metat e natyrshme, as në kundërshtitë, nuk e ul vlerën e këtij investimi strategjik në funksion të lidhjes së punës sonë me njerëzit”, vijoi Rama.

Sa i përket kësaj nisme, Rama në fjalën e tij tha se përfundimet e këtij procesi do të dalin mes javës së fundit të marsit dhe javës së parë të prillit.

“Është hera e parë që e bëjmë dhe ne do të mësojmë sa më shumë, në mënyrë që vitin e ardhshëm ta përgatisim më mirë dhe besoj që do të marrim një rezultat të kënaqshëm për ne”, theksoi Rama.

Po ashtu ai tha se, për shkak të zgjedhjeve të pjesshme vjetore, është shtyrë për javën e parë të prillit data e mbledhjes së Kongresit të PS-së.

Rama, duke folur për zgjedhjet e 6 marsit, përmendi edhe presidentin Ilir Meta, kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Sa i përket Presidentit Rama tha se ai mbajti peng dekretin për zgjedhjet e pjesshme, duke shkelur kështu dhe Kushtetutën.

Duke vënë theksin te më “pak politikë” në këto zgjedhje, ai u ndal te kundërshtarët që do të kenë përballë. Ai përmendi se përballë tyre kanë një opozitë të ndarë, konkretisht PD-së.

“Ndërkohë që sa më pak politikë në këto zgjedhje, aq më mirë, pasi politikisht panorama e këtyre zgjedhjeve është e qartë. Nga njëra anë, ne me ofertën tonë të punës për komunitetin, nga ana tjetër kundërshtarët tanë politikë, në gjashtë sheshe, për 12 ose 18 përsheshe, varet si do të rreshtohen”, ravijëzoi Rama.

Ky i fundit në fjalën e tij shtoi se, “ne kemi gjashtë kandidatë, të cilët do të ofrojnë një mundësi zgjedhjeje të bazuar te puna konkrete. Nga ana tjetër ata me 12, 18 ose më shumë që do të luftojnë për mbijetesën politike të 2-3 udhëheqësve partiakë këtu në Tiranë dhe që s’kanë asnjë lidhje me këto zgjedhje në vetvete”.

Gjithashtu Kryeministri, sa i përket përçarjes së PD-së, tha se, “njëra është më e madhe se tjetra dhe një tjetër parti, më e madhe se të dyja bashkë, ngjitur me të madhen e të trejave”.

“Tre lider, njëri ‘grata’, tjetri ‘non grata’, i treti të dyja bashkë edhe ‘grata’ dhe ‘non grata’. Tre popuj nga mbrapa tyre”, u shpreh Rama.

Sipas Ramës, duke iu referuar popullit të 11 dhjetorit të Berishës, 18 dhjetorit të Bashës dhe 2 marsit të Metës, u bëri thirrje socialistëve që të shohin punën duke mos thirrur mitingje, grumbullime masive në salla të mbyllura.

“Punë kokë më kokë me njerëzit, për të treguar me kokën lart çfarë kemi bërë mirë dhe me kokën ulur çfarë duhet të korrigjojmë’, iu drejtua ai Grupit Parlamentar.

Ai e mbylli me mesazhin se angazhimi për “Këshillim Kombëtar”, duhet të jetë primar.

“Të kapërcejmë epokën e zymtë të ndasisë. Puna në terren me njerëzit, me njerëzit, me njerëzit”, e përmbylli Rama kërkesën e tij ndaj Grupit Parlamentar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore