Shqipëria

Meta: Rikthehem në zgjedhjet e ardhshme


“Në zgjedhjet më të para, pasi të heq kostumin e Presidentit më keni në betejat e vërteta dhe Ilir Meta s’është nga ata që shesin ndeshjet”.

Kështu ka deklaruar presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, nga Korça, kur u pyet nga gazetarët nëse do të merrte pjesë në zgjedhje.

“Pas 24 korrikut – kohë kur i mbaron mandati i Presidentit – kthehem te populli i 2 marsit”, deklaroi Meta.

Datës 2 mars ai i referohet ditës kur ftoi qytetarët të mblidheshin në shesh në vitin 2020, ndërsa në Kuvend po mbahej seanca parlamentare.

“Mezi po pres të shpëtoj nga shoqëruesit dhe këto makinat e policisë. Mezi po më pres të kthehem te populli i 2 marsit. Po pres t’i jap më të mirën time atij populli që mbron qytetarët shqiptarë që dalin në mes të natës në mënyrë të dhunshme në mes të rrugës”, vijoi Meta në fjalën e tij.

Ai u pyet nga gazetarët për deklaratën që dha përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, se do të dorëhiqej nga detyra e Presidentit në rast se do të fitonte mandatin e tretë kreu i qeverisë Edi Rama.

“Nuk ka fituar, ka qenë ndeshje e shitur që pa filluar, ka qenë e trukuar”, tha Meta për sa i përket fitores së Ramës.

Ndërsa sa u takon zgjedhjeve të pjesshme vendore, Meta tha se, “s’kam premtim për atë që do të ndodhë më 6 mars, sepse s’kam marrë pjesë në zgjedhjet e prillit”.

Ndër të tjera, sa i përket shkarkimit të tij nga Kuvendi i Shqipërisë dhe vendimit që pritet më 1 shkurt nga Gjykata Kushtetuese, Meta e tha i prerë se, “nuk kam asnjë koment për çështje që janë në proces”.

Por, Presidenti Meta, nuk i shpëtoi pyetjes së gazetarëve në lidhje me ngjarjen e “21 janarit 2011”, ku mbetën të vrarë katër protestues në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, përpara Kryeministrisë – asokohe në krye të shtetit Sali Berisha.

“Jemi pikërisht në një ditë të tillë sipas kalendarit dhe jemi për të dhënë mesazhe për artin dhe kulturën”, tha Meta duke ju shmangur pyetjes.

Kujtojmë që protesta, e thirrur nga opozita e asaj kohe, Partia Socialiste, e kishte gjenezën pikërisht te një video ku tregohej Meta dhe i ndjeri Dritan Prifti, ku flitej për një përfitim nga tenderët publike.

Ilir Meta nga shtatori i vitit 2010 deri në janar 2011 shërbeu si ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nën qeverisjen e Berishës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore