Shqipëria

Këshillimi Kombëtar – Kush pyetet dhe për çfarë përgjigjet?


Nisma e Këshillimit Kombëtar është fjala kyçe për Qeverinë e Shqipërisë në fillimin e vitit 2022, pasi u paralajmërua nga vetë kryeministri Edi Rama, në fund të 2021-shit.

Nën moton “Le të dëgjojmë njëri-tjetrin”, vetë Rama po fton herë pas here qytetarët që të bëhen pjesë e këtij procesi.

Duke qenë se ai mund të kryhet edhe online, ftesat e tij vijnë në formën e postimeve, duke nxjerrë pyetje të caktuara, të cilat janë pjesë e Këshillimit.

Duhet theksuar fakti se në këtë proces mund të marrë pjesë çdo qytetar adult i vendit, duke dhënë mendime mbi çështje të caktuara.

Gjithsesi, metodologjia e përgjigjeve nuk është ajo e atyre të hapura, për të dhënë mendim, sa ajo e përzgjedhjes konvencionale, mes tre alternativash.

Kur për të moshuarit, çdo shtëpi në Shqipëri do të marrë një pyetësor, shumica kanë filluar t’i drejtohen formularit online, edhe pse ende pa shifra direkte.

Përpos të tjerave, vetë pyetësori mbetet në kuadër të anonimatit dhe nuk kërkon të dhëna personale. Por, nga i njëjti motor kërkimi, nuk mund të plotësohet më shumë se një herë.

Kjo është edhe mënyra se si është kërkuar të shmangen mendimet e shumëfishta nga një person i vetëm.

Mbi çfarë?

Janë 12 çështjet mbi të cilat qytetarët pyeten për sa i përket Këshillimit Kombëtar dhe jashtë kuadrit të tyre nuk mund të dilet.

Parimisht, shumica e tyre luajnë me dualitetin e çështjeve, duke propozuar një opsion dhe duke pyetur nëse personi është apo jo me të njëjtin mendim me pohimin.

Po ashtu, ka edhe një kuti për ata që nuk duan të gjykojnë mbi një çështje të caktuar.

Ato më interesantet, mbeten disa, në rrafshe të gjerë.

Prej tyre, spikat pyetja nëse kultivimi i kanabisit duhet ose jo të lejohet, me qëllim përdorimin e produktit për qëllime mjekësore. Gjithnjë, në një proces të kontrolluar nga shteti.

Po ashtu, pyetje me rëndësi lidhen edhe me politikën e jashtme të vendit. Fakti nëse Shqipëria duhet ose jo të ndahet nga Maqedonia e Veriut për integrimin evropian apo dobinë e nismës Open Balkan, janë pjesë e anketimit publik.

Një pikë interesante është edhe aplikimi i paraqitjes së certifikatës së vaksinimit në hapësira publike të mbyllura.

Shqipëria këtë masë momentalisht e ka vendosur vetëm për administratën shtetërore, supermarketet dhe qendrat tregtare.

Por, nëse nga qytetarët kërkohet në masë diçka e tillë, masa mund të shtrihet edhe më gjerë, megjithëse vetëm 40% e popullatës është e vaksinuar.

Masat ndaj evazionit fiskal, janë po ashtu çështje me rëndësi në pyetësor. Mbi të gjitha, kur një paralajmërim i hapur është bërë nga vetë kryeministri, pas rrjedhjes së të dhënave të pagave për qindra mijëra qytetarë.

Një vend e zë dhe ndotja publike, apo procesi i vetingut tek pushteti legjislativ.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore