Shqipëria

Retorika Meta-Berisha për Shqipërinë dhe “miqtë”


Ish-lideri demokrat, Sali Berisha, në përmbyllje të ditës publikoi një status në median sociale “Facebook”, me mesazh drejtuar Shteteve të Bashkuara.

“Shqiptari e ka vëlla shqiptarin” ndërsa të tjerët i ka thjesht “miq”.

Ky mesazh i koduar i adresohet marrëdhënieve “të vështira” me Ambasadën amerikane dhe akoma më shumë me përfaqësuesen diplomatike, Yuri Kim.

Përmes këtij publikimi të 22 janarit, Berisha u thekson mbështetësve se Shqipëria dhe raportet me ta janë parësore.

Më herët, ish-kryeministri do të ravijëzonte sërish akuzat ndaj ambasadores amerikane në një klimë të ftohtë kundër-replikash.

“DASH deklaron në raportet e tij se Shqipëria është qendër operacionale e organizatave kriminale të rajonit, të Amerikës së Veriut, Amerikës së Jugut, të Lindjes së Mesme dhe Evropës. DASH deklaron në raportet e tij se Shqipëria ka një korrupsion të papërmbajtur në të gjitha nivelet, por si ka mundësi këto deklarata nuk përkthehen në deklarata të përfaqësuesve të SHBA në Tiranë?”, pyeti Berisha gjatë një takimi me mbështetësit e tij në Mirditë.

Ish-kreu demokrat hodhi dyshime nëse “janë transkriptuar, përkthyer këto konstatime serioze të qeverisë së SHBA-ve, në deklaratat e përfaqësuesve të kësaj qeverie këto 8 vite në Shqipëri?”.

Madje, Berisha duke marrë shkas nga deklaratat e ambasadores Kim e akuzonte “si përfaqësuese të Edi Ramës dhe jo përfaqësuese të qeverisë amerikane”.

“Kjo është e vërteta”, do të shprehej ish-lideri i PD-së.

“Shqipëria e para”

Në të njëjtën linjë qëndroi edhe presidenti i Republikës së Shqipëri, Ilir Meta, në deklaratat e tij televizive.

Për raportet me Shqipërinë dhe diplomacinë amerikane, Meta do të shprehej se ka “një raport të parë dhe të shenjtë me Shqipërinë dhe nuk bën asnjë akt që lëndon Shqipërinë”.

Presidenti garantoi gjatë fjalës së tij se nuk ka asnjë problem me SHBA-të.

Për të nënvizuar këtë të fundit, numri një i Presidencës shtoi se “nuk i është dashur që të paguajë drejtësinë në Amerikë për të mbyllur çështje”.

I pyetur për ndonjë dizenjim të mundshëm nga ana e autoriteteve amerikane, Meta do të përgjigjej se “i vjen për të qeshur me këtë çështje”.

“Do isha shumë i zhgënjyer që kjo të mos ndodhte ndërkohë që jam President”, deklaronte ndërkaq presidenti.

Kjo e fundit, sipas tij, do ishte një gjë shumë e mirë në funksionin e një mesazhi për çdo politikan.

I bindur Meta pohoi se kjo nuk do e shqetësonte fare, pasi ai ka një raport të mrekullueshëm “me SHBA-të, si vend, si shtet“.

Deklarata e Kim

Ndërsa u pyet për ngjarjet e dhunshme të regjistruara më 8 janar në selinë e Partisë Demokratike, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Yuri Kim theksonte për herë të parë se “Shtetet e Bashkuara u skandalizuan”.

“Do t’i kthehem 8 janarit, mendoj kur njerëzit pane pamjet, kur njerëzit dëgjuan retorikën, mendoj se u skandalizuan”, deklaroi ajo fillimisht.

Sipas diplomates amerikane “nuk duam të shohim askënd ta tërheqë këtë vend mbrapsht në të kaluarën, në një lloj politike që nuk do ta shohë askush”.

Askush, për ambasadoren, nuk do që të shohë dhunë politike.

Referuar situatës, Kim u shpreh se “duam të shohim një Shqipëri që është vendosmërisht në familjen perëndimore”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore