Shqipëria

Basha me mesazh “të koduar” nga Durrësi: E vërteta po vonon, por nuk do të mungojë


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar nga Durrësi se “e vërteta po vonon, por nuk do të mungojë”.

Mesazhin “e koduar” për drejtësinë, kryedemokrati e dha nga takimi që zhvilloi me mbështetës demokrat në qytetin bregdetar.

Basha vijoi me akuzat kundrejt ish-liderit demokrat, Sali Berisha dhe kryeministrit Edi Rama, duke thënë se këta të fundit “i lidh gënjeshtra”.

“Kur s’ma ka bërë për gënjeshtrat e Sali Berishës dhe të Edi Ramës, nuk ma bën për askënd tjetër. Ata i lidh gënjeshtra, si mjet i vjetër i propagandës komuniste”, nënvizoi gjatë fjalës së tij numri një i selisë blu.

Sipas kreut demokrat, të gjitha gënjeshtrat do të bien, sepse “sa më shumë të gënjesh, aq më shumë populli e kupton që gënjen për një hall tëndin personal”.

Referuar Berishës, kryedemokrati shtoi se ka “një hall që nuk ia zgjidh dot PD-ja dhe për të cilin nuk do ta marrë kurrë peng”.

Sa i takon të ardhmes, Basha tha se projekti i parë është “t’i kthejmë shqiptarëve parlamentin dhe qeverinë legjitime me zgjedhje të lira”.

Duke iu kthyer nismave të selisë blu, kretari i PD-së kujtoi dhe vetting-un e politikanëve.

Për Bashën, vetëm tre njerëz nuk e duan këtë nismë – adresuar Berishës, presidentit Meta dhe kryeministrit Rama.

“Ndërhyrja që duhet të bëjmë është një ndarje nga e shkuara, e kulturës komuniste e mendimit ndryshe, e kulturës se e vetmja mënyrë për të ecur është të servilosesh e t’u shërbesh interesave të dikujt”, vijoi kryedemokrati.

Zhvillimet brenda PD-së, Basha nuk i konsideron thjesht si një ndryshim politik, por në thelb – kulturor.

“Ashtu siç e kam thënë me 18 dhjetor siç do të jetë PD sot, do të jetë Shqipëria nesër, nuk ka shpresë tjetër për vendin tonë”, tha në përmbyllje kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore