Shqipëria

6 marsi – Kush pritet të garojë nga kampi Rama, Basha dhe Berisha?


Zgjedhjet e pjesshme vendore do të mbahen më 6 mars në Shqipëri në një situatë aspak të zakontë, me tre kampe të dukshme, ku dy prej tyre janë brenda të njëjtës sigël, pavarësisht se me vetëm një anë zyrtare e një tjetër të vetëshpallur.

Edi Rama, Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë ende kohë për të vendosur mbi emrat e mundshëm, por kandidaturat e para kanë filluar të vijnë.

Kështu, në Bashkinë Durrës, socialistët pritet të konfirmojnë emrin e komanduar të Emirjana Sakos, si kandidate e të majtëve në lokalet e 6 marsit, për qytetin bregdetar.

Nga ana tjetër, për Partinë Demokratike, ka pasur një vetofertë nga kreu i degës, Luan Hoti.

Ky i fundit ka vënë në dijeni kryetarin Lulzim Basha, se dëshiron të kandidojë.

Kampi Berisha, në Durrës, me gjasë do të shohë në garë ish-numrin dy të degës, Ardjan Muka.

Shkodra pritet të jetë një betejë interesante, pasi është edhe një nga bashkitë, e cila ka qenë historikisht bastion i demokratëve, por do t’i shohë ata të ndarë këtë herë.

Kryetarja aktuale, Voltana Ademi, pritet të jetë në kampin Berisha për këtë betejë. Sakaq, socialistët mund të kandidojnë një grua po ashtu dhe me gjasë ajo do të jetë prefektja e qarkut, Majlinda Angoni.

Emri më në zë nga PD-ja ndërkohë, është Xhemal Bushati, për t’i besuar garën.

Në Vorë, socialistët pritet të nxjerrin në betejë ish-prefektin Mersin Murati.

Ndërsa, nga demokratët, ende nuk ka një emër.

Lushnja, pas arrestimit të Fatos Tushes mbi implikime në korrupsion, mendohet se në garë nga të majtët do të shohë kryetaren e komanduar, Eriselda Sefa. Nga Komisioni i Rithemelimit ndërkohë, janë propozuar Arben Zajmi dhe Daniel Shandro. PD-ja ende nuk e ka një emër.

Rrogozhina është një tjetër bashki ku do të garohet. Për PS-në, mendohet se do të jetë Edison Memolla. Dy kampet e tjera, nuk kanë emra.

Në enigmë të plotë, mbetet Dibra, ku asnjë emër nuk është bërë publik ende.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore