Lajme

Kërkesa e Prokurorisë për 35 vjet burgim të Salih Mustafës – Avokatët: Drakonike dhe e pabazuar


Si drakonike dhe e pa bazuar në fakte po cilësohet nga avokatët e akredituar nga Gjykata Speciale, kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që Salih Mustafa i akuzuar për krime lufte të dënohet me 35 vjet heqje lirie.

Avokati Artan Qerkini shpreson se gjykata nuk do të ketë nevojë që në rastin e Sali Mustafes të marr çfarëdo lloj dënimi, “ngase shpresoj se ai do të shpallet i pafajshëm”.

Gjithsesi, kërkesa për 35 vjet burgim e Prokurorisë nuk bën sens fare për Qerkinin.

“Sido që të jetë propozimi për lartësinë e dënimit nga ZPS është drakonik dhe në kundërshtim me parimet e përgjithshme të matjes se dënimit në rastet penale”.

Edhe për avokatin tjetër Skënder Musën – kërkesa e organit të akuzës është shumë e lartë, “pasi prokurori i çështjes e ka parashtruar këtë kërkesë meqë ka dashur ta bind gjykatën që rasti është shumë i rëndë dhe që duhet të shqiptohet dënim maksimal”.

“Unë besoj që këtë kërkesë prokurori e ka bërë qëllimisht, pasi nuk ka arritur që ta faktojë me prova që Salih Mustafa i ka kryer veprat për të cilat akuzohet”, potencon Musa për AP.

Gjithsesi, Musa ka shtuar se fjala përfundimtare e prokurorisë ka qenë më shumë deklarative, pasi avokati mendon se “prokurori deklaroi vetë se nuk kanë prova për mënyrën se si është vrarë viktima”

“Dhe në momentin që s’ka prova dhe dëshmitarë, ajo konsiderohet si provë në favor të të akuzuarit. Edhe sa i përket dy veprave tjera deklaron se nuk kanë dëshmitarë”.

Për çka akuzohet Salih Mustafa?

Sali Mustafa, i njohur me nofkën “komandat Cali”, akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme të shqiptarëve.

Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave.

Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Ndërkaq, Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat për krime lufte.

“Po, për asnjë nga pikat që mi ngarkon kjo zyre e Gestapos”, duke bërë referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Përveç Mustafës, procese gjyqësore pritet të nisin edhe ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Absurditeti i Speciales: Prokuroria kërkoi për Salih Mustafën dënim më të madh se sa për të gjithë kriminelët serbë të luftës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore