Sport

Kërcënuan dhe ofenduan gjyqtarët, FFK hap procedurë disiplinore ndaj udhëheqësve të Ballkanit


Kryesia e klubit të Ballkanit pritet të dënohet nga Federata e Futbollit të Kosovës për kërcënime dhe fyerje ndaj gjyqtarëve.

Lajmin e ka bërë të ditur FFK, të cilët kanë nisur procedurë disiplinore ndaj presidentit dhe disa zyrtarëve të klubit therandas, të cilët kishin kërcënuar gjyqtarët pas ndeshjes ku ekipi i tij barazoi me rezultat 1:1 me Dukagjinin.

Vendimin për fillimin e procedurës disiplinore ndaj kryetarit, trajnerit dhe zëvendës menaxherit e ka marrë Komisioni i Garave i FFK-së.

“Pas përfundimit të ndeshjes, në zhveshtore të referëve, ka hyrë kryetari i klubit të Ballkanit, Arsim Kabashi dhe i ka kërcënuar, fyer dhe ofenduar ata edhe në baza familjare. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Ballkani-Dukagjini”, thuhet në njoftimin e FFK-së për Kabashin.

Komisioni i Garave gjithashtu ka nisur procedurë disiplinore edhe ndaj tre zyrtarëve të tjerë të Ballkanit: Trajnerit, Ilir Dajës, ndëihmës trajnerit, Idriz Hajrizit dhe drejtorit sportiv Nderim Nexhipit.

“Ndaj: Ndihmës menaxherit të FC Ballkani, Idriz Hajrizi, nr ID 009818M82. MOTIVI: Pas përfundimit të ndeshjes, duke hyr në lokalet zyrtare fyen dhe ofendon referët e ndeshjes. Derisa ishin duke shkuar nga kombi i VAR-it në lokalet zyrtare te kolegët e tyre , zv. menaxheri Idriz Hajrizi e fyen, ofendon dhe tenton ta godas referin e VAR-it Mervan Bejtullahu. Sipas raportit të gjyqtarit të VAR-it të ndeshjes Ballkani-Dukagjini”.

“Ndaj: Drejtorit sportiv të FC ”Ballkani” , Nderim Nexhipi nr ID 009818M82. MOTIVI: Pas përfundimit të ndeshjes, duke hyrë në lokalet zyrtare fyen dhe ofendon referin e VAR-it Mervan Bejtullahu. Sipas raportit të personave zyrtar të ndeshjes Ballkani-Dukagjini”.

Pa u hetuar nuk ka mbetur as trajneri Ilir Daja. Ky i fundit ofendoi dhe akuzoi FFK-në se i kishte deleguar qëllimisht gjyqtarët e caktuar për ta dëmtuar Ballkanin, meqenëse gjyqtari Mervan Bejtullahu është nga qyteti i Gjilanit.

“NDAJ : Kryetrajnerit të FC ”Ballkani” , Ilir Daja nr ID . .028309M66. MOTIVI: Pas shënimit të golit nga ana e mysafirëve, filloi me akuza te gjyqtari i katërt , se komisioni i FFK-së qellimisht e ka deleguar për ta dëmtuar ekipin e Ballkanit, meqenëse Mervan Bejtullahu është nga qyteti i Gjilanit!. Pas përfundimit të pjesës së parë të ndeshjes, në ambientet e lokaleve zyrtare dhe në prezencë të delegatit të ndeshjes, fillon të ofendojë FFK-në dhe komisionin e saj. Sipas raportit të delegatit të ndeshjes Ballkani-Dukagjini”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore