Kosova

Kandidati për kryetar në Mitrovicën e Veriut: Institucionet e Kosovës s’janë duke e kryer punën si duhet, nuk është normale


Betim Osmani

Kandidati për kryetar të Mitrovicës së Veriut nga Iniciativa Qytetare, Betim Osmani, në zgjedhjet në katër komunat në Veri të Kosovës, që do të mbahen të dielën e 23 prillit, në një intervistë për televizionin Dukagjini është shprehur se “institucionet e Kosovës nuk janë duke e kryer punën e tyre si duhet”.

“Problemi është që institucionet tona, shumë prej tyre, njerëzit që punojnë aty, nuk po e kryejnë punën e vet, sidomos ato të sigurisë. Për shembull, nëse e raporton një krim dhe nuk merren masa, kjo nuk është normale”, tha Osmani.

Sa i përket ndikimit të Listës Serbe në Veri, përkundër fuqisë politike që ka, Osmani deklaroi se “70 përqind e qytetarëve janë të pakënaqur me ta”.

Osmani apeloi te qytetarët në Veri që të dalin në zgjedhje, sepse “shtyrja dhe bojkotimi i zgjedhjeve më së paku i konvenon qytetarëve atje”.

Ndryshe, më 23 prill, qytetarët me të drejtë vote në katër komunat në Veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, do t’iu drejtohen qendrave të votimit për të zgjedhur katër kryetarë të rinj dhe dy përbërje të reja të asambleve komunale.

Por, për dallim nga herët e kaluara, në këto zgjedhje – që bojkotohen nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe – votimet, përveçse në disa shkolla, do të mbahen edhe në kontejnerë.

Për zgjedhjet për katër kryetarët në Veri do të garojnë 11 kandidatë, dy prej të cilëve vijnë nga komuniteti serb.

Subjektet në garë janë Iniciativa qytetare Mitrovica, Partia Demokratike e Kosovës, Partia e Serbëve të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe një kandidate e pavarur.

Zgjedhjet për katër kryetarë komunash veriore të Kosovës dhe dy asamble komunale do të duhej të mbaheshin në dhjetor të vitit të kaluar, por ato u shtynë për 23 prill të këtij vit, pas kërkesës së ndërkombëtarëve që të mos vazhdohet tutje me procedura të rregullta, meqë situata në terren nuk e mundësonte.

Nevoja për zgjedhje lindi pasi në mënyrë të organizuar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, tërhoqi kryetarët e komunave, deputetët, ministrat dhe gjithë stafin administrativ nga institucionet e Kosovës.

Largimi nga institucionet u bë si shenjë proteste për disa shkarkime që ndodhën në radhët e policisë, përfshirë komandantin serb të stacionit në veri, meqë ata nuk i përfillen urdhrat e dhëna me vendim qeveritar, për gjobitjen e të gjitha veturave me targa ilegale “KM”.

Më pas, kur qeveria u pajtua ta shtyjë zbatimin e vendimit, Lista Serbe u deklaruar se si kusht për t’u kthyer në institucionet kanë fillimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacionin me Marrëveshjen për Rrugën Drejt Normalizimit të Raporteve me Serbinë, por Lista Serbe prapë refuzoi të regjistrohet në Komisionin Qendror Zgjedhor për t’u futur në listë të partive që garojnë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore