Lajme

Kamberi: E falënderova Kurtin për vëmendjen e shtuar ndaj shqiptarëve të Luginës


Albin Kurti dhe Shaip Kamberi

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, është takuar këtë të shtune me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka falënderuar për “vëmendjen e shtuar” të Kosovës ndaj shqiptarëve që jetojnë në Luginë.

“E falënderova Qeverinë e Kosovës për vazhdimin e përkrahjes së filloristëve duke ia siguruar tekstet shkollore pa pagesë dhe për vëmendjen e shtuar të Kosovës ndaj shqiptarëve të Luginës’, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Ai ka treguar se kreun e ekzekutivit kosovar e ka njoftuar me zhvillimet e fundit në Luginë të Preshevës dhe me angazhimin e përpjekjet parlamentare për avancimin e pozitës së shqiptarëve.

Foto: ZKM

“E informova se bashkë me deputetët boshnjak të SDA kemi iniciuar pesë projektligje, ndër të cilat ai për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave; për selitë dhe territorin e gjykatave”.

Përveç këtij, është edhe ajo “për ndryshimin e ligjit për përdorimin e simboleve kombëtare”.

“Për ndryshimin e Rregullores së parlamentit ashtu që listat e pakicave të kenë mundësinë e krijimit të grupit parlamentar me tre deputet e jo me pesë siç kërkohet për partitë qendrore, si dhe projektrezolutën për Srebrenicën”, shtoi.

Shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës janë të shtypur sistematikisht nga institucionet e Serbisë.

Madje, atyre nuk iu lejohet as përdorimi i flamurit kombëtar.

Së fundmi një nga çështjet që është ngritur edhe në Senatin amerikan është pasivizimi i adresave që Serbia po i bënë shqiptarëve atje, posaçërisht në Medvegjë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore