Lajme

Ka progres domethënës në negociatat për Gazën


Media egjiptiane kanë raportuar se ka një përparim të rëndësishëm në negociatat për Gazën.

“Ka përparim të rëndësishëm në negociatat midis Hamasit dhe Izraelit, mbi propozim për armëpushim dhe lirim të pengjeve në Gaza”.

Kështu e ka bërë të ditur transmetuesi egjiptian, Al-Qahera News, i lidhur me shërbimet sekrete të vendit, duke cituar një burim anonim. Ndërmjetësuesit egjiptianë kanë “arritur një formulë të rënë dakord për shumicën e pikave të diskutueshme”, shtoi transmetuesi.

Kjo, pavarësisht faktit se dy ditë më parë, nga Hamasi u bë me dije se kishte një qëndrim negativ mbi negociatat.

Kështu tha Osama Hamdan, përfaqësuesi i lartë i Hamasit në Liban, në një intervistë për TV lokale, të raportuar nga New York Times.

Hamasi më pas sqaroi se kjo “nuk do të thotë se negociatat janë ndalur”.

“Edhe nëse grupi nuk i pranon propozimet aktuale izraelite pa modifikim, ne jemi të gatshëm – vazhdoi ai – të vazhdojmë negociatat”.

Nga ana tjetër, Izraeli i ka dhënë SHBA-ve një plan për të evakuuar Rafahun.

Ushtria izraelite ka informuar OJQ-të humanitare që veprojnë në vend dhe administratën e Joe Biden-it për një plan, për të filluar evakuimin e palestinezëve që jetojnë në Rafah, në Rripin jugor të Gazës, përpara fillimit të operacionit ushtarak.

Politico e raporton këtë, duke cituar një zyrtar amerikan dhe dy persona të tjerë të njohur me situatën, sipas të cilëve civilët do të evakuoheshin në al-Mawasi, një rrip i vogël toke në jug të Rripit.

Këtë javë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit u dërguan OJQ-ve një hartë të zonës, një kopje e së cilës u pa nga Politico. Ushtria izraelite njoftoi se operacioni në Rafah do të fillojë “së shpejti”, por nuk dha një datë specifike.

Zyrtari amerikan i cituar nga Politico paralajmëroi se ky nuk është plani “përfundimtar” i IDF-së, por “një nga reflektimet e tyre të fundit”. Një zyrtar i dytë amerikan tha se administrata Biden nuk ishte në dijeni të ndonjë pushtimi të afërt dhe ishte ende duke pritur për më shumë detaje nga Izraeli se si të nxirrte civilët e Rafahut.

Shtëpia e Bardhë nga ana tjetër, u përgjigj se “nëse operacioni në Rafah është i afërt, i takon Izraelit të flasë për të”.

“I takon Izraelit të flasë për këtë”. Kështu i është përgjigjur zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, pyetjes nëse operacioni ushtarak izraelit është i afërt. “Ajo që mund të them është se ne i kemi shprehur shqetësimet tona shumë qartë, publikisht dhe privatisht”, shtoi Jean-Pierre.

Njëkohësisht, ka shqetësim të madh nga organizatat e ndryshme për këtë plan.

OBSH-ja tha se “sulmi në Rafah do të shkaktonte gjakderdhje”.

Operacioni ushtarak i paralajmëruar i Izraelit në Rafah, në Rripin jugor të Gazës, mund të shkaktojë një “banjo gjaku”. Kështu deklaroi në rrjetet sociale drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili përsëriti nevojën për një armëpushim.

“OBSH është shumë e shqetësuar se një operacion ushtarak në shkallë të gjerë në Rafah, Gaza, mund të çojë në një gjakderdhje dhe të dobësojë më tej një sistem shëndetësor tashmë të prishur,” tha ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore