Lajme

Jeff Hovenier nominohet si ambasador i ri i SHBA-ve në Kosovë


Jeff Hovenier -nominohet për ambasador të SHBA-ve në Republikën e Kosovës

Nëpërmjet një komunikate të Shtëpisë së Bardhë është konfirmuar se Jeff Hovenier do të jetë ambasadori i ri në Republikën e Kosovës.

Ambasadori aktual i SHBA-ve në Kosovë, Philip S. Kosnett e ka uruar nominimin e ambasadorit të ri.

“Urime kolegut dhe mikut tim Jeff Hovenier për nominim e tij si Ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë”, ka shkruar ambasadori Kosnett në rrjetin e tij social Twitter.

Jeff Hovenier, aktualisht shërben si zëvendësshef i Ambasadës së SHBA-ve në Turqi.

Ai më parë si diplomat kishte shërbyer në Berlin, Zagreb, Athinë dhe disa vende të kontinentit amerikan si Panama, Paraguai dhe Peru.

Hovenier konsiderohet si njohës i mirë i Kosovës. Ai ishte pjesë e stafit të të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara për Statusin e Kosovës.

Në kryeqytetin e SHBA-ve, në Uashington, Hovenier kishte shërbyer si drejtor për Evropën Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Gjithashtu, ai kishte shërbyer edhe në Byronë e Departamentit të Shtetit, për punët (çështjet) e Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Evropës Qendrore.

Me Medaljen Presidenciale ishte dekoruar në vitin 2018 nga ish presidenti Hashim Thaçi në dhjetëvjetorin e shënimit të pavarësisë së Kosovës.

“Familja ime dhe unë ndihemi shumë të nderuar. Ndryshimet pozitive në Kosovë janë mbresëlënëse. Unë gjithmonë do të jem një mik i Kosovës ”, kishte thënë diplomati amerikan Hovenier.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore