Lajme

Jasharaj: Greva s’ndalet deri më 1 shtator, do e padisim ministrin Murati


Sindikata e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, përmes një konferencë të jashtëzakonshme ka thënë se greva e nisur nga 25 gushti nuk do të ndalet as më 1 shtator.

Madje sipas tij, kjo grevë do të vazhdojë të fuqizohet në shtator deri në realizimin e kërkesave.

“Greva do të vazhdoj edhe më fuqishëm më 1 shtator, nëse vazhdohet kështu me teka të Qeverisë 1 shtatori mësimdhënësit do t’i gjejë në grevë ndërsa nxënësit në shtëpi”, ka thënë Jasharaj.

Ndërkaq ai pohon se të pajtimit për të vazhduar grevën janë edhe mësimdhënësit.

“Mesazhi i tyre është që ne të qëndrojmë dhe ne ju kemi dhënë besën që do të qëndrojmë. Këtë e thash që ta heqim një dyshim të Qeverisë që mësimdhënësit nuk janë të pajtimit për grevën”.

Jasharaj tha se këtë konferencë e ka thirrur për shkak të “deklaratave skandaloze” të ministrit të Financave, Hekuran Murati, të cilin sindikata ka marrë vendim që ta padis.

Sindikata e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK).

“Murati në vend se të jetë zë i qeverisë në emër të uljeve të tensioneve dhe për ta kthyer situatën në normalitet ai na kërcënon. Kërcënimi i tij ka pasur qëllim që ta frikësoj dikën dhe që ta ngulfate vullnetin dhe zërin e grevistëve që janë në grevë derisa nuk zgjedhën kërkesat legjitime”.

“Ne kemi bërë deklarata edhe në të kaluarën por asnjë deklaratë nuk ka qenë kërcënuese. Qeveritë e kaluara kanë treguar se i respektojnë sindikatat pasi me ta kemi gjetur gjuhë të përbashkët”.

Sipas kreut të sindikatës, çmimi 100 euro është çmim modest për sindikalistët.

“Dimri është paralajmëruar të jetë i tmerrshëm. Rritja prej 100 eurove do të ishte një çmim modest për grevistët. Ne jemi edhe zëri i policëve dhe zjarrfikësve”.

Edhe, Ali Reshiti, pjesëmarrës i grevës deklaroi se janë duke pritur ftesën e ekzekutivit për bisedime.

“Ne jemi duke pritur ftesën e Qeverisë. Ta dëshmoni edhe një herë që jeni të interesuar për dialog ne jemi të hapur në çdo moment, çdo ditë. Kjo është në dorën tuaj, ne jemi të gatshëm që kur të na ftoni të dialogojmë”, ka thënë Reshiti.

25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove.

Por, akoma pa përfunduar një ditë e grevës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, doli me vendim që grevistët të pezullohen nga e drejta për pagesë, pasi nga ta po kërkohet detyrim i bindjes për të punuar.

Përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu, kishte dërguar komunikatën që kanë pasur me sindikatat.

Aty ai pretendon t’ua ketë sqaruar grevistëve se po operon bazuar mbi ligjin.

“Neni 18, efektet e grevës së ligjshme gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet, që rrjedhin nga Kontrata e Punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar”.

“Disa kolegë në rrjete sociale (mbase jo me qëllim të keq) nuk e kanë pasqyruar mirë dispozitën ligjore, meqë  LIGJI Nr. 03/L-200 PËR GREVA, është plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 04/L-119 dhe kjo ndalesë e pagës është paraparë me këtë plotësim ndryshimin e Ligjit. Andaj, pezullimi i obligimit për me punu dhe i pagës është obligim ligjor”, thuhet në komunikatën dërguar Albanian Post.

Kurti: Nuk është koha për grevë, është koha për punë

Në konferencën e mbajtur më 24 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se është i informuar për një hapë të tillë nga punëtorët e arsimit, por që nuk është momenti i duhur.

“Kërcënimi me paralizim të institucioneve dhe shërbimeve publike tash që Projektligji për pagat është proceduar dhe kushtëzimi me kërkesa shtesë, është gabim. Nuk është koha për grevë, është koha për punë, është koha që sindikatat t’i bëjnë komentet e tyre për Projektligjin për pagat”, tha kryeministri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Photographer: Armend Nivani/AFP/Getty Images

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka hartuar projektligjin për pagat ditë më parë por që ky legjislacion duhet të kalojë fillimisht procedurat e konsultimeve paraprake e publike dhe pas miratimit në Qeveri e Kuvend, të publikohet në Gazetën Zyrtare të Kosovës.

Në grevë për rritje page, mbesin pa pagë fare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore