Aplikacione

Italia, në shënjestër të sulmeve kibernetike


“Italia është objektiv i sulmeve kibernetike”.

Ky është alarmi i ngritur nga presidenti aktual i kompanisë së mbrojtjes dhe sigurisë të quajtur Leonardo, Luciano Carta.

Pas Spanjës, për të Italia renditet si vendi më i prekur në Evropë, citon e përditshmja italiane “Corriere della Sera”.

Ndërkaq, pandemia e ka rritur kërcënimin e luftës hibride të keqinformimeve të përhapura për qëllime ekonomike dhe gjeopolitike.

Mbi çështjen “Italy did it”, ka thënë se është një “lajm i rremë”.

Sipas tij, “përmes kësaj donin të nxirrnin se Italia, nëpërmjet përdorimit të satelitëve Leonardo, kishte manipuluar rezultatin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke transferuar votat nga Trump-i te Biden-i”.

Të dhënat

Shifrat e zbuluara nga Carta janë cilësuar “mbresëlënëse”.

Në Itali, në gjashtë muajt e parë të vitit 2021, janë regjistruar 36 milionë ngjarje keqdashëse, me mbi 180 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“1 mijë e 53 sulme janë analizuar në kibernetikë serioze botërore, me mbi 24 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020. Dëmi ekonomik është i barabartë me gjashtë për qind të PBB-së botërore”, ka dalluar ai.

Lufta hibride

Lidhur me situatën, Carta ka rekomanduar vëmendje më të madhe për sigurinë kibernetike, e cila është e nënvlerësuar në vend.

Kjo sepse tabloja gjeopolitike paraqitet shqetësuese.

Nuk ekzistojnë veç hacker të rinj, por edhe organe shtetërore që kryejnë sulme nëpërmjet përdorimit masiv të hacker-ave.

Infodemia na pushtoi gjatë pandemisë dhe përfaqëson një nga simptomat e ndryshimit të konceptit të sigurisë. Tanimë, duhet të merremi me luftën hibride: manipulimin e informacionit që kombinohet me luftën ekonomike”, ka veçuar ai.

Kurse rasti i lajmeve të rreme të dala nga Italia është përcaktuar si emblematik.

Ato u përdorën për qëllime politike dhe destabilizuese në ditët e sulmit të janarit në Capitol Hill.

Për Carta-n, në lojë është edhe një pyetje më e thellë që ka të bëjë me marrëdhëniet midis informacionit dhe sistemeve demokratike

“Çka i karakterizon kërcënimet hibride në kontekstin e hapësirës kibernetike është aftësia për të përdorur njëkohësisht fushata masive keqinformuese me përdorimin e mediave sociale për të kontrolluar politikën”, ka thënë ai.

Por edhe për të kontrolluar “rrëfimin e ngjarjeve, për të radikalizuar ose për të rekrutuar ata që nga ana tjetër, mund të bëhen mbajtës dhe transportues të kërcënimeve hibride”.

‘Jo më për propagandë’

Shpresa e kryetarit të Dhomës, Roberto Fico, është “një komunikim i aftë për të dhënë informacion, në mënyrë serioze dhe për të shmangur propagandën, çka u jep qytetarëve mjetet e duhura për zhvillimin e shoqërisë”.

Kjo pasi gjatë pandemisë, lajmi u lëkund paksa. Ishte COVID-i që dominoi në media dhe informacione sociale.

Sipas një hulumtimi, vetëm në muajin nëntor të vitit 2021, janë publikuar mbi gjysmë milioni artikuj që përmbajnë fjalët COVID, pandemi dhe Green pass.

Ndërsa vetëm 208 mijë të tjerë me fjalën qeveri.

Redaktori i “Corriere della Sera”, Luciano Fontana, ka zbuluar se është momenti i digjitales.

“Informacioni digjital po rritet, si gazetë kemi dyfishuar abonimet digjitale. Një njohje e faktit se informacioni profesional ishte një lloj spirance për t’u mbajtur në momente të vështira”, ka treguar ai.

Kurse për drejtorin e “la Repubblica”, Maurizio Molinari, “nuk ka më një produkt të vetëm të përditshëm, por një sërë produktesh që duhen përshtatur nga platforma në platformë”.

Së fundmi, është edhe shqetësimi për politikën që udhëton në mediat sociale dhe kanalet e saj të ndërveprimit.

Rezultojnë 64 milionë ndjekës të vendimmarrësve politikë (deputetë, senatorë, ministra, guvernatorë). Ata kanë publikuar 698 mijë postime dhe 384 miliona të tjerë kanë qenë ndërveprim.

Prandaj dhe, nevojitet monitorimi për të parashikuar tendencat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore