Lajme

Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës: Qeveria Kurti marrëveshjet me Maqedoninë i gjeti të gatshme


Në takimin e së enjtes në Shkup, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, nënshkruan 11 marrëveshje.

Në mesin e marrëveshjeve janë edhe studimi i fizibilitetit i autostradës Prizren-Tetovë, bashkëpunim në sferën e diasporës, rregullim kufitar të komunikacionit hekurudhor, bashkëpunim në sektorët e energjisë, turizmit, kontrollit të mallrave strategjike, inovacionit, zhvillimit teknologjik dhe ndërmarrësisë, dhe në qeverisje lokale.

Sipas ish-zëvendëskryeministres Albulena Balaj-Halimaj, këto marrëveshje kanë qenë të përgatitura nga Qeveria Hoti dhe se qeveria aktuale i ka gjetur të gatshme.

Balaj-Halimaj në një intervistë në Klan Kosova, ka thënë se Qeveria Kurti nuk ishte lodhur fare për t’i negociuar marrëveshjet me Maqedoninë e Veriut.

“I lexova titujt e marrëveshjeve sepse të tëra marrëveshjet nuk kanë dalë ende në publik. Në tituj e pashë që të gjitha marrëveshjet që ne i kishim përgatitur në qeverinë e kaluar, të njëjtat marrëveshje ishin nënshkruar sot”.

“Por, që dallimi ishte në numër. Ne kishim 21 marrëveshje në total por që sigurisht që do të duhej edhe finalja pra të arrihej pajtimi mes palëve sepse kishim vetëm edhe një diskutim në fund”, ka thënë Balaj-Halimaj.

“Por, në fund pashë se këta i kishin arritur vetëm 11 nga to dhe të gjitha ishin të gatshme nga qeveria e kaluar”.

“Pra, kjo qeveri nuk ishte lodhur për t’i diskutuar marrëveshjet e tjera që kanë qenë kërkesa edhe të qytetarëve por edhe të ministrive të veçanta”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev

Shefi i Stafit të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Luan Dalipi, ka njoftuar se qeveria e Kosovës dhe e Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e përbashkët gjatë ditës së enjte, kanë nënshkruar 11 marrëveshje.

Ndër 11 marrëveshjet të cilat i ka shpalosur Dalipi, përmes një postimi në Facebook, është edhe marrëveshja e studimit të fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë.

“Sot Qeveria e Kosovës nënshkruan 11 marrëveshje me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Disa nga këto marrëveshjet janë studim i fizibilitetit për rrugën ’Prizren–Tetovë’, bashkëpunim në sferën e diasporës, rregullim kufitar të komunikacionit hekurudhor, bashkëpunim në sektorët e energjisë, turizmit, kontrollit të mallrave strategjike, inovacionit, zhvillimit teknologjik dhe ndërmarrësisë, dhe në qeverisje lokale”, ka shkruar Dalipi.

Përndryshe gjatë ditës së enjte Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut janë duke mbajtur seancën e parë të përbashkët qeveritare në Shkup.

Seanca në fjalë do të drejtohet nga nikoqiri i takimit, kryeministri maqedonas Zoran Zaev, së bashku me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti.

Delegacioni kosovar i udhëhequr nga kryeqeveritari Kurti, është pritur me nderime më të larta nga homologu i tij, Zaev.

Pamje nga mbledhja e përbashkët e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshjet e nënshkruara të enjten e 16 shtatorit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e parë të dy qeverive, do të lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve ka shkruar kryeministri Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

Marrëveshja SOBA sipas Kurtit është më e rëndësishmja.

Sipas kësaj marrëveshje rregullohet statusi i Forcave të Sigurisë së Kosovës(FSK) që mundëson hyrjen dhe daljen, qëndrimin e përkohshëm dhe kalimin transit të FSK-së nëpër territorin e Maqedonisë e Veriut.

“Kjo do të jetë e dobishme për të dy shtetet pasi siç kemi parë edhe këtë vit, FSK përtej të qenit partner e aleat i rëndësishëm ushtarak, mund të ndihmojë qytetarët edhe në operacione të shpëtimit”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore