Lajme

Ish-punonjësi në KiE: Kosova mund të jetë anëtare e Këshillit deri në maj të vitit 2024   


Andrew Forde

Vendimi i Komitetit Ministror për t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar, një vit pas dorëzimit të aplikimit, për Andrew Forden, specialistin e së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, qeverisjes dhe çështjeve politike, me më shumë se 10 vjet përvojë pune në Këshillin e Evropës, është një moment vendimtar për Kosovën, e cila aspiron të jetë anëtarja e 47-të e këtij organizmi ndërkombëtar.

Nga gjithsej 46 shtete sa votuan në Komitetin Ministror 33 shtetet, duke përfshirë edhe shtetet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia votuan pro, për Forde votimi në fjalë ishte magjepsës.

“Vetëm 7 shtete votuan kundër, më befasuesja ishte Hungaria, e cila tradicionalisht ka qenë një vend jashtëzakonisht mbështetës për Kosovën, në aspektin praktik, për shembull Trupat e KFOR-it, zyrtarët e OSBE/BE-së”, ka shkruar Forde në rrjetin e tij social në Twitter.

Sipas të dhënave që janë bërë publike Hungaria, Rumania, Qiproja, Spanja, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Serbia votuan kundër, kurse Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Sllovakia, Moldavia dhe Ukraina abstenuan.

Sipas Fordes abstenimi në rastin e Kosovës mund të lexohet si “ne nuk duam të refuzojmë, por nuk mund ta pranojmë haptazi për momentin”.

“Është jashtëzakonisht domethënëse që BeH, Greqia, Moldavia dhe Ukraina janë në këtë grup”, pohon ai.

Forde ndër të tjera ka shkruar se Kosova sipas këtij ritmi mund të jetë anëtare e plotfuqishëm i Këshillit të Evropës deri në maj të vitit 2024.

“Pas këtij votimi Byroja duhet të emërojë Raportuesin. Është e qartë se Raportuesi duhet të jetë kompetent, me përvojë dhe objektiv. Është shumë e rëndësishme që rishikimi të bëhet sipas meritës. Kjo do të thotë të bësh një vlerësim të përshtatshmërisë së Kosovës për anëtarësim. Kjo nuk do të thotë se Kosova duhet t’i ketë arritur të gjitha standardet, por se është e përkushtuar për ta bërë këtë ndryshe nga anëtarësimin në BE”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore