Kosova

Rreth 350 qytetarë serbë kanë aplikuar për konvertimin e patentë shoferëve në RKS


Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj, ka thënë se rreth 360 qytetarë serbë kanë aplikuar për t’i konvertuar patentë shoferët nga institucionet jo-legale serbe në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.

“Që nga 9 maji deri me 22 maj, qytetarët serbë janë duke i konvertuar patentë shoferët. Procedura është duke shkuar mirë. Nga shifrat që kanë aplikuar nga 9 deri me 22 maj janë diku rreth 360 qytetarë. Vendimi ishte më së i nevojshëm, meqë këta qytetarë i regjistruan veturat në RKS, por nuk kishin patentë shoferë të Republikës së Kosovës”, tha Camaj për Ekonomia Online.

Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati theksuar në fillim të këtij muaji se kalimi në patentë shoferë RKS, mundëson regjistrimin e lehtë dhe praktik të automjeteve.

“Nuk kërkon përsëritje të dhënies së provimit për fitim të patentë shoferit por vetëm aplikim të cilin, çdo qytetar duhet ta dorëzojë në Qendrën për Pajisje me dokumente”, kishte potencuar ai përmes një video-mesazhi drejtuar qytetarëve.

Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e patën mirëpritur vendimin e Qeverisë për mundësimin e konvertimit të patentë shoferëve ilegale të lëshuara nga institucionet paralele serbe në Kosovë në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.

“Ne mbështesim përpjekjet që mundësojnë integrimin e mëtejshëm dhe avancojnë vizionin tonë të përbashkët për një Kosovë gjithëpërfshirëse, multietnike”, ka shkruar ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në platformën sociale, X.

Edhe Italia ka mirëpritur vendimin e ekzekutivit për mundësimin e konvertimit të patentë shoferëve ilegale të lëshuara nga institucionet paralele serbe në Kosovë në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.

Lajmi u bë i ditur nga ambasada italiane në Prishtinë, përmes një postimi në platformën X.

“Ambasada e Italisë në Prishtinë përgëzon Qeverinë e Kosovës për përpjekjet e saj në lehtësimin e procedurave për të gjithë qytetarët për marrjen e patentë shoferit”, kanë shkruar nga ambasada e Italisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore