Lajme

Intensifikohen sulmet izraelite në Bregun Perëndimor – raportohet për dy persona të vrarë


Ilustrim

Një avokat palestinez dhe një adoleshent janë vrarë në ditën e pestë të bastisjeve izraelite në Bregun Perëndimor, pas sulmeve vdekjeprurëse në shtetin hebre.

Kështu, numri i viktimave palestineze, në një kohë që gjendja është drejt përshkallëzimit të vazhdueshëm, shkon në 17.

Sakaq, Ministria Palestineze e Shëndetësisë tha se avokati i të drejtave të njeriut, 34-vjeçari Muhammad Hassan Muhammad Assaf, “vdiq pasi u qëllua në gjoks nga ushtria pushtuese izraelite gjatë agresionit në qytetin e Nablus”.

Në mbrëmje, ministria bëri të ditur po ashtu se forcat izraelite qëlluan për vdekje një adoleshent “gjatë agresionit të tyre ndaj Husan”.

Ushtria tha në një deklaratë se ushtarët qëlluan një të dyshuar palestinez, i cili kishte “hedhur një koktej molotov” mbi ta, duke shtuar se trupat “përdorën municion të vërtetë për të ndaluar kërcënimin e menjëhershëm”.

Pas lajmit për vdekjen e tij, kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh, akuzoi se ushtarët izraelitë “vrasin për hir të vrasjes, me një licencë të dhënë nga kryeministri i shtetit pushtues, Naftali Bennett, pa respektimin më të vogël të ligjit ndërkombëtar”.

Bennett ka paralajmëruar se Izraeli tani është “në ofensivë” dhe i vendosur për të arrestuar të dyshuarit militantë.

Përleshje të dhunshme kishin shpërthyer më herët gjatë ditës në Nablus, ku forcat izraelite po shoqëronin një ekip pune që erdhi për të riparuar varrin e Jozefit.

Vendi është i shenjtë për hebrenjtë dhe u shkatërrua në një akt vandalizmi fundjavën e kaluar.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze raportoi 31 persona të plagosur rreth zonës Nablus dhe një fshati aty pranë, duke përfshirë 10 të goditur nga plumbat e drejtpërdrejtë.

Vendi i shenjtë, ku hebrenjtë thonë se është varrosur patriarku biblik Jozef, është një pikë e shpeshtë përplasjeje midis izraelitëve dhe palestinezëve.

Ai u shkatërrua pjesërisht në vitin 2000, gjatë një kryengritjeje palestineze dhe gjithashtu u dogj në 2015-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore