Sport

Ia hodhi fanellën në kokë arbitrit – Drejtoresha e Tiranës thotë se “këto gjëra ndodhin në sport”


Drejtoresha përgjithshme e klubit të Tiranës, Deborah Keçi, ka kërkuar falje për gjestin që ka bërë së fundmi, por përsëri e ka arsyetuar veprimin e saj, duke thënë se “kjo gjë ndodhë në sport”.

Në përfundim të ndeshjes basketbollistike mes Tiranës dhe Besëlidhjes, Keçi bëri një gjest të shëmtuar ndaj arbitrit të, duke ia hedhur në kokë fanellën e Tiranës.

Në minutat e fundit të kësaj ndeshje, një nga lojtarët e stolit të Tiranës ka hedhur në fushë një bluzë, të cilën gjyqtari e largoi nga fusha, por Deborah ia ktheu përsëri.

Lidhur me këtë gjest ka ardhur edhe reagimi i Keçit, e cila përmes një postimi në faqen e saj në Instagram ka kërkuar falje.

 

Mirëpo, e ka “arsyetuar” gjestin e saj, duke thënë se ekipit të Tiranës iu bë padrejtësi, derisa ka shtuar se “këto gjëra ndodhin në sport”.

“Në sport, emocionet luajnë një rol shumë të rëndësishëm, jo vetëm për sportistin, por edhe për të gjithë ata që janë të përfshirë. Emocionet gjenerohen nga aktiviteti sportiv dhe nga ana tjetër mund të ndikojnë si tek sportistet, trajneret dhe drejtuesit e ekipeve”.

“Si ish-sportiste qe vazhdoj akoma të ushtroj aktivitet sportiv dhe te ndjej akoma emocione dhe kënaqësi nga sporti, si drejtuese e një ekipi me emër në historinë e sportit shqiptar, është shumë e vështirë të pranosh në heshtje dhe me kënaqësi një padrejtësi që i bëhet mundit dhe djersës së sportisteve dhe pasionit te tyre”.

“Kush ka qenë sportist kupton dhe ndjesinë nga padrejtësia, kush vazhdon ndjek sportin nëpër botë, shikon dhe reagimet e sportisteve, trajnereve dhe drejtoreve ekzekutiv. Por, në cilësinë e Drejtoreshës Ekzekutive, ju kërkoj ndjesë sportdashësve të pranishëm dhe shikuesve”.

Kujtojmë që ekipi i Besëlidhjes së Lezhës e fitoi sfidën e dytë ndaj Tiranës në ndeshjen e dytë të serisë së finale.

Rezultati 80-73 ndaj bardhebluve, i ka bërë lezhjanët që të jenë një hap larg të shpallurit kampionë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore