Lajme

“I tronditur me vrasjen e dyfishtë në Pejë”


Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar pas vrasjes së dyfishtë në Pejë, ku dyshohet se kanë mbetur të vrarë, kandidati për kryetar të komunës së Pejës nga PDK-ja, Astrit Ademaj dhe personi tjetër me inicialet B.K.

“Jam shumë i tronditur me vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur minuta më parë në Pejë, me ç ‘rast u vra dhe kandidati për Kryetar të Komunës së Pejës nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj. Shprehi ngushëllimet më të sinqerta familjeve për humbjen e dy jetëve të reja”, ka shkruar Muhaxheri në Facebook.

Ndërkaq zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi për Albanian Post, ka thënë se në këtë incident janë lënduar tre persona ku dy prej tyre kanë ndërruar jetë në spitalin rajonal të Pejës.

“Rreth orës 20:20 në të mërkurën e 8 shtatorit Policia e Kosovës është njoftuar se në afërsi të shkollës së mesme ekonomike “Ali Hadri”, ka të shtëna me armë zjarri. Tre persona të lënduar janë dërguar në emergjencën e spitalit rajonal të Pejës ku dy persona nga tre të lënduarit kanë ndërruar jetë”, ka thënë Gashi.

Prokurori i shtetit me të dëgjuar për rastin ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur gjuajtja me armë zjarri. Kështu ka thënë për Albanian Post, Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë në Pejë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore