Kosova

Hoti: Ushtarët amerikanë çdo ditë sigurojnë paqen në Veri – pushtetarët e Kosovës nuk dinë çfarë bëjnë


Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, konsideron se Qeveria e Kosovës nuk është duke ditur se çfarë veprime është duke bërë në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se ushtarët amerikanë në Veri çdo ditë sigurojnë paqen.

“Ushtarët amerikan janë çdo ditë në veri, si pjesë e KFOR-it, duke e siguruar paqen. Para një kohe, vetë kreu i qeverisë kishte deklaruar se Ambasadori Amerikan e kishte informuar për gjëra lidhur me zhvillimet në veri që ai nuk i kishte ditur, edhe pse AKI-ja është në teren dhe e ka për detyrë të kuptojë se çfarë ndodh e çfarë pritet”.

“Ndërsa, pushtetarët e Kosovës në sinkron replikojnë me Sekretarin Blinken se ai është naiv e nuk është i informuar për kontekstin politik në veri”.

Hoti tutje ka shtuar se, “Zoti na ruajtë, se këta nuk dinë çfarë bëjnë”.

Më 31 maj, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, për të dytën herë kishte reaguar për situatën në Veri të Kosovës.

Protesta në Zveçan të mërkurën, foto: Radio Evropa e Lirë.

Në një komunikatë lëshuar për media ai ka thënë se vendimi për t’iu siguruar qasje kryetarëve të komunave në objekte komunale përshkallëzoi situatën pa nevojë.

Blinken ka kërkuar sërish që të tërhiqen forcat policore nga objektet dhe kryetarëve të komunave t’u sigurohen kushte në objekte alternative.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale eskaloi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore”, ka thënë Blinken.

Po ashtu, Blinken i bëri thirrje presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, që ta tërheqë urdhërin e gatishmërisë së Ushtrisë Serbe, dhe që t’i ndalojë serbët e Kosovës që të ushtrojnë dhunë.

Më 30 maj, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka njoftuar se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjen “Defender Europe 2023”, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Uashingtonit që të shtensionojë situatën në Veri.

“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës”.

Ai tutje ka potencuar se SHBA-të janë duke menduar edhe për vendime të tjera që do të marrin në këtë drejtim për të qetësuar situatën në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore