Kosova

Lajçak: Mu kërkua të vazhdoj punën si emisar edhe për një periudhë  


Ilustrim: Miroslav Lajçak, Petar Petkoviç dhe Besnik Bislimi

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se i është kërkuar të vazhdojë punën si ndërmjetësues i dialogut Kosovë – Serbi deri në momentin kur do të nis punën si ambasadori i Unionit në Zvicër.

Një gjë të tillë ai e ka bërë të ditur në një intervistë për gazetën serbe me seli në Kosovë, Kosovo Online.

“Më është kërkuar të qëndroj edhe pak në këtë biznes, ndaj puna ime vazhdon”, ka potencuar ai.

Lajçak në prill të këtij viti u emëruar si ambasador i Zvicrës në BE në kuadër të rotacionit të madh vjeshtor në Union. Diplomati sllovak pritet të nis mandatin në kryeqytetin zviceran, Bernë, më 1 shtator.

Lajçak këtë të marte po qëndron në Prishtinë ku pritet të takohet  me zëvendëskryeministrin e Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të palës kosovare në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

Në intervistë për Kosovo Online, Lajçak ka njoftuar se në Kosovë do të qëndrojë “për të diskutuar për hapat e ardhshme dhe programin e punës”.

“Fokusi im është zhbllokimi i zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit. Jam i bindur se Marrëveshja do të zbatohet, por si dhe kur, këto janë pyetje kyçe që vetëm palët mund t’i përgjigjen – sigurisht që do të vazhdoj të punoj deri në fund të mandatit tim për ta realizuar atë”, ka potencuar ai.

Duke folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, diplomati sllovak, ka vlerësuar se nuk ka asnjë arsyeje për të mos ecur përpara me themelimin e këtij mekanizmi, meqë sipas tij, draft-statuti i propozuar nga BE-ja respekton rendin juridik të Kosovës.

“Ne i kemi pasur parasysh vijat e kuqe të të dyja palëve. Është një mënyrë evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të të drejtave dhe mbrojtjes së pakicave dhe pasqyron praktikat më të mira evropiane”, tha Lajçak.

Ai ka potencuar se draft-statuti i Asociacionit duhet të dërgohet në Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim.

“Kështu që unë ju pyes, çfarë mund të shkojë keq? Si mund të jetë Asociacioni i dëmshëm apo i rrezikshëm për Kosovën nëse fjalën e fundit për draft-statutin e ka Gjykata Kushtetuese?”, ka pyetur ai.

Në çështjen e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarit, për transaksione dhe shit-blerje në territorin e Kosovës, Lajçak, në këtë intervistë zbuloi për herë të parë “kompromisin e propozuar” për zgjidhjen e “krizës së dinarit”.

“Ne propozuam krijimin e një organi të ri të përkohshëm që do të merrej me shpërndarjen e mbështetjes financiare për shtresat më të cenueshme… Qëllimi i zgjidhjes së përkohshme do të ishte t’u mundësonte serbëve të Kosovës, si dhe institucioneve të financuara nga Serbia – shkollat ​​dhe spitalet – të marrin fonde nga Serbia, derisa të gjendet një zgjidhje e përhershme”.

Lajçaku kritikoi Kosovën për mbylljen e zyrave financiare serbe në veri, duke theksuar se aksioni i fundit policor dëshmoi se autoritetet zgjodhën “veprimet e njëanshme” para bashkëpunimit. Ai shtoi se operacioni i fundit mund t’i “përshkallëzojë tensionet” ekzistuese mes Kosovës dhe Serbisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore