Kosova

Borrell ua dorëzon vendeve të BE-së raportin për masat ndaj Kosovës


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ua ka dorëzuar të martën vendeve anëtare raportin që ka të bëjë me masat ndëshkuese që i janë vendosur Kosovës një vit më parë nga Unioni.

Lajmi është konfirmuar nga Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Në këtë raport është bërë vlerësimi nëse duhet hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ishin vendosur për shkak të veprimeve të qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti në Veri të vendit – të banuar me shumicë serbe – të cilat kishin shkaktuar tensione të mëdha në atë pjesë të vendit.

Ende nuk dihet nëse kryediplomati evropian përmes këtij raporti ka kërkuar apo jo heqjen e masave ndëshkuese.

Siç raporton “Radio Evropa e Lirë”, diskutimi i parë rreth këtij raporti do të mbahet të mërkurën në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, por që në këtë takim nuk pritet të merret ndonjë vendim se si do të veprohet me masat.

Nga Kosova, janë shprehur optimist se raporti i Borrell-it do të kërkojë heqjen e masave ndëshkuese.

Këtë e kishte bërë Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane javën e kaluar.

Bislimi kishte thënë se ka informacione se në raportin e Borrell-it “do të rekomandohet heqja e masave” ndëshkuese kundër Kosovës.

Por, kësaj deklarate i ishte kundërpërgjigjur Stano.

Në një konferencë për media të hënën, zëdhënësi i BE-së potencoi se Bislimi, nuk ka nevojë të spekulojë për “përmbajtjen dhe oraret” rreth raportit të Borrell-it për masat e BE-së ndaj Kosovës.

“Kjo është një çështje institucionale mes përfaqësuesit të lartë dhe vendeve anëtare. Vendet anëtare janë ato që kanë kërkuar një raport dhe, natyrisht, është përfaqësuesi i lartë ai që do ta dërgojë raportin tek vendet anëtare”, deklaroi Stano.

Ai pohoi se vendet anëtare të Unionit do të jenë të parat që do ta dinë se kur do të ndodhë dhe çfarë përmban raporti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore