Shqipëria

Berisha akuzon ‘Home Office’ se ka manipuluar procesin për ta shpallur atë ‘non grata’


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar Ministrinë e Brendshme britanike, njohur si Home Office, se ka manipuluar procesin për ta shpallur atë non grata dhe ka kryer disa manovra ndaj tij.

Këtë Berisha e bëri përmes një videomesazhi nga shtëpia e tij, ku gjendet nën masën e sigurisë arrest shtëpie prej fundit të dhjetorit.

Berisha tha se ka ndjekur rrugën ligjore lidhur me non grata britanike, duke sqaruar se ishte kjo arsyeja që ai iu drejtua Komisionit të Apelimit lidhur me vendimin e Home Office.

Një nga argumentet e përdorura në shpalljen non grata të Berishës nga Home Office janë lidhjet e tij me krimin, por Berisha thekson se për këtë nuk ka prova dhe fakte.

Ai po ashtu shprehet se “dëshmohet për lidhje me krimin ndaj Sali Berishës, duke përdorur goditjen me shkelm të një dere nga Fation Dauti, një qytetar që nuk e kam pranuar kurrë në jetën time dhe që vet e pranoi se, mund të mos jetë i lidhur me Berishën, në një kohë kur në zyrën e Edi Ramës, ulet këmbëkryq përfaqësuesi i kartelit më të rrezikshëm në botë, meksikan, Luftar Hysaj, madje dhe merr licencë për kazino”.

“Berisha humb apelin në Londër”, mbetet non grata në Britani

Ai vijon më tej me akuza të forta edhe ndaj politikanëve të lartë në vend, po edhe ndaj mediave.

“Ankimet në këtë Komision, kërkonin që edhe Home Office të rishqyrtonte vendimin e tij. Në këtë kuadër u vendos një bashkëpunim në përputhje me marrëveshjet e arritura midis departamentit të kësaj ministrie dhe avoketëve të mi, në të cilin në mënyrë të vazhdueshme ne paraqitëm mijëra faqe, dokumente që rrëzonin të gjitha shpifjet dhe trillimet e medieve të George Sorosit, BIRN, Balkan Insight dhe të Carlo Bollinos, mbi të cilat ishte bazuar dhe marrja e vendimit, shpifjet e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Lulzim Bashës dhe hidhej dritë në të vërtetat e kësaj dosje”.

Më tej, flet edhe për Komisionin Special të Apelimit të Emigracionit (SIAC), ndaj të cilit apeloi vendimin që nuk iu pranua, duke thënë se ata kanë zbuluar në vendimin e tij dy elemente shumë të rëndësishëm.

Së pari deklaron se ai, nuk është marrë me vërtetësinë e provave dhe fakteve të paraqitura, por thjeshtë është marrë nëse Sekretarja e Shtetit, ka patur prova të mjaftueshme, ka bërë analizë të drejtë të provave për vendimin që ka marrë.

Së dyti, SIAC na informon, se ai nuk ka marrë parasysh mijëra e mijëra faqe, të dorëzuara nga Sali Berisha, sipas tij me vonesë, në Home Office, mbasi këto faqe nuk janë shqyrtuar siç kërkon ligji nga sekretarja e Shtetit, sepse janë dorëzuar me vonesë.

“Kjo është absolutisht një e pavërtetë që nuk i bën nder asnjë njeriu”, shton më tej Berisha.

Ai thekson po ashtu se avokatët e tij kanë dorëzuar në kohë, në përputhje me marrëveshjen të gjitha dokumentet e kërkuara nga Home Office, por këto dokumente nuk i janë paraqitur sekretares së Shtetit, me dy qëllime:

Së pari, që ajo të mos mësonte të vërtetën.

Së dyti, që këto dokumente të mos mund të paraqiteshin në SIAC duke mos i shqyrtuar sekretarja  e Shtetit.

Deklarata e tij vijon kështu më tej:

Ne përfituam shumë nga ky proces.

Ne mësuam së pari se, çfarë manipulimesh dhe manovrimesh të ulëta u bënë për të fshehur të vërteta, dosje mijëra faqe para Komisionit të Apelimit të Ankesave.

Së dyti, mësuam se nuk ekziston asnjë provë, fakt, dokument që të faktojë korrupsionin, apo lidhjet me krimit të Sali Berishës.

Imagjinoni, dëshmohet për lidhje me krimin ndaj Sali Berishës, duke përdorur goditjen me shkelm të një dere nga Fation Dauti, një qytetar që nuk e kam pranuar kurrë në jetën time dhe që vet e pranoi se, mund të mos jetë i lidhur me Berishën, në një kohë kur në zyrën e Edi Ramës, ulet këmbëkryq përfaqësuesi i kartelit më të rrezikshëm në botë, meksikan, Luftar Hysaj, madje dhe merr licencë për kazino.

Pëllumb Gjoka fiton statutin e investitorit strategjik.

Shqipëria thërritet tani botërisht si një narkoshtet.

A nuk janë këto akuza një përpjekje e korrupsionit transnacional për të mbrojtur, ndihmuar narkoshtetin shqiptar dhe korruptokratët shqiptarë, për të ndëshkuar Sali Berishën, që më shumë se çdo gjë tjetër në jetën e tij, pas përmbysjes së diktaturës ka bërë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Beteja jonë vazhdon, edhe njëherë, jo për heqjen e përjashtimit, por për shpifjet, trillimet, për mbrojtjen tuaj, nga korrupsioni dhe lidhjet e krimit, të cilido qoftë, të Edi Ramës, qeveritarëve, politikanëve të korruptuar prej tij, ambasadorëve, diplomatëve, zyrtarëve të huaj, të korruptuar po nga Edi Rama.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore