Kosova

Sveçla, Syla e Hoxha në “Eurosatory 2024”: Investimi në sigurinë e Kosovës është domosdoshmëri për shkak të Serbisë


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, zëvendësministri i Mbrojtjes dhe Shemsi Syla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, së bashku me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Shemsi Sylën, drejtorin e Policisë, Gazemend Hoxha dhe disa ekipe të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe policisë janë duke marrë pjesë në “Eurosatory 2024”, që po mbahet në Francë.

Pjesëmarrja e tyre po bëhet me qëllim që të avancohet aftësitë e ushtrisë dhe policisë.

“Qëllimi i vizitës së delegacionit të shtetit të Kosovës është që të avancojnë aftësitë mbrojtëse të ushtrisë dhe policisë së vendit, në mënyrë që të jenë të gatshëm të përballen me çdo kërcënim dhe të sigurojnë siguri për qytetarët, për rajonin dhe më gjerë”, thuhet në komunikatën e MPB-së dërguar mediave.

Sipas njoftimit të këtij dikasteri fuqizimi i institucioneve të sigurisë vjen si domosdoshmëri pas sfidave të shumta të sigurisë globale.

Në rastin e Kosovës, siguria cenohet nga Serbia.

“Fuqizimi i institucioneve të sigurisë vjen si domosdoshmëri pas sfidave të shumta të sigurisë globale, e një qeveri si ajo e Serbisë që mbështet dhe financon terrorizmin, investimi në të ardhmen e sigurtë të vendit tonë është domosdoshmëri”.

Panairi “Eurosatory 2024”, konsiderohet si njëri ndër panairet më të mëdhenj në industrinë e mbrojtjes, sigurisë dhe teknologjisë.

Në këtë panair prezent janë 62 shtete, ndërsa është vizituar nga pjestarë të 150 shteteve të botës.

Një grup i armatosur më 24 shtator, kishte sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Nga shkëmbimet me armë zjarri, Policia e Kosovës kishte asgjësuar katër terroristë, teksa gjashtë të tjerë i arrestoi.

Autoritetet e Kosovës kishin akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç ishte arrestuar nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Lidhur me sulmet terroriste, organet e rendit kanë sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan nga Policia pas sulmit, vlera e të cilave kapte shifrën 5 milion euro.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore