Lajme

Gruaja ukrainase, ushtarit rus: Futi farat e lulediellit në xhep, që të lulëzojnë kur ti të vdesësh


Gruaja ukrainase dhe ushtari rus gjatë diskutimit.

Një grua ukrainase, pasi është përballur me një ushtar rus të armatosur rëndë, i ka ofruar këtij të fundit fara luledielli, në mënyrë që ato të lulëzojnë kur ai të vdesë.

Pamja është kapur nga kamera.

Ukrainasja shfaq zemërimin e saj, ndërsa e revoltuar pyet ushtarët: “Kush jeni ju?”

Ushtari, i cili qëndron në rrugë, i thotë: “Kemi ushtrime këtu, ju lutem kaloni në këtë rrugë”.

Pasi pyeti nëse ata janë rusë, ajo thotë: “Pra, çfarë po bëni këtu?!”.

Ndërsa ushtarët përpiqeshin ta qetësonin, gruaja iu kundërpërgjigj, duke u thënë se: “Ju jeni okupatorë, ju jeni fashistë! Çfarë po bëni në tokën tonë me gjithë këto armë?”

Ajo vazhdon diskutimin, duke i ofruar atij farat e lulediellit, që është lulja kombëtare e Ukrainës.

“Merrini këto fara dhe vendosini në xhepat tuaj, kështu që të paktën luledielli të rriten kur të shtriheni të gjithë këtu”.

Videoja u shpërnda në internet nga Internews Ukraine, organizatë e pavarur mediatike me qendër në Kiev.

Që atëherë ajo është bërë virale në rrjetet sociale me më shumë se dy milionë shikime, dhe ka shkaktuar një vërshim komentesh emocionale.

Të enjten e 25 shkurtit, Rusia ka pushtuar Ukrainën me tanke që rrotulloheshin përtej kufirit dhe sulme ajrore që synonin qytetet kryesore.

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), kanë njoftuar sanksione kundër Rusisë në shenjë proteste kundër veprimit të saj ushtarak ndërsa mijëra rusë kanë dalë në rrugë në Moskë dhe Shën Petersburg për të shprehur kundërshtimet e tyre ndaj luftës.

Më shumë se 1 mijë e 750 protestues u arrestuan nga autoritetet ruse të enjten në 54 qytete, 957 prej tyre në Moskë.

Për t’u njoftuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, klikoni KËTU.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore