Shqipëria

Greco: Shqipëria me performancë të kënaqshme në luftën ndaj korrupsionit


Shqipëria ka zbatuar ose ka trajtuar në mënyrë të kënaqshme vetëm pesë nga njëzet e katër rekomandime, zbulon organi antikorrupsion i Këshillit të Evropës, Greco në raportin e tij vjetor, i publikuar të premten e 3 marsit.

Sipas publikimit zyrtar, nga rekomandimet e mbetura, trembëdhjetë janë zbatuar pjesërisht dhe gjashtë nuk janë zbatuar.

Greco vëren fillimisht në konkluzionet e saj se në lidhje me pushtetin qendror (personave të cilëve u janë besuar funksione të larta ekzekutive), sistemi elektronik i deklarimit të pasurisë dhe konfliktit të interesave është bërë funksional.

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Vlerësimit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit është plotësuar me burimet e nevojshme për të kryer verifikimin efikas të deklaratave, evidenton organi.

Përveç kësaj, shton raporti, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) është bërë funksionale, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) është plotësuar me personel të plotë dhe duket se personeli i saj ka marrë trajnimin e duhur të specializuar.

Organi i KiE-s shkruan se janë miratuar plane integriteti në njëmbëdhjetë ministri, emrat, detyrat kryesore dhe aktivitetet ndihmëse të të gjithë këshilltarëve politikë janë bërë publike.

Ndër të tjera, Greco raporton se janë futur disa rregulla se si personat me funksione të larta ekzekutive të angazhohen në kontaktet me lobistët.

Megjithatë, organi antikorrupsion kërkon veprime të mëtejshme të autoriteteve shqiptare lidhur me përgatitjen e udhëzimeve dhe shembujve ilustrues për Kodin Ministror, forcimin e pavarësisë së Komisionit të Etikës nga ndikimi jo i përshtatshëm nga ekzekutivi dhe funksionimi i tij efektiv, organizimin e trajnimeve të rregullta për tematika në lidhje me integritetin për anëtarët e Qeverisë dhe këshilltarët politikë, krijimin e kanaleve efikase të këshillimit konfidencial dhe futjen e kufizimeve pas largimit nga detyra.

“Sa i përket agjencive të zbatimit të ligjit , është bërë njëfarë progresi në disa fusha. Janë publikuar donacionet dhe sponsorizimet, janë marrë masa për zbatimin e planit të integritetit
2018-2020”, vijon Greco.

Organi i KiE-s thekson gjithashtu se duhet forcuar qëndrueshmëria e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, drejtuesit e drejtorive të Policisë së Shtetit duhet të emërohen nga Drejtori i Përgjithshëm dhe duhet të ketë kufizime të qarta pas largimit nga detyra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore