Kosova

“Gra armatosuni, dhuna s’ka arsyetim” – mijëra protestues kërkojnë drejtësi pas dhunimit të 11-vjeçares


Dhuna s’ka arsyetim, mbrojtje për vajzat e gratë dhe gra armatosuni.

Këto kanë qenë disa nga parullat e mijëra protestueseve në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë të cilët po kërkojnë drejtësi pas rastit të dhunimit të një 11-vjeçare në Prishtinë nga pesë persona.

Protestuesit fillimisht kanë protestuar para objektit të Ministrisë së Drejtësisë, ku kanë hedhur ngjyrë të kuqe. Pastaj para objektit të Policisë dhe atij të Avokatit të Popullit, derisa destinacion i fundit i protestueseve është Qeveria e Kosovës.

Protestuesit janë ulur para ndërtesës së qeverisë të Kosovës, nga ku kanë brohoritur “marre, marre” dhe “edukoje djalin”.

Në këtë protestë po kërkohet krijimi i mekanizmave efektiv për trajtimin me dinjitet për të mbijetuarat e dhunës seksuale, trajtimi i drejtë i rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për abuzuesit si dhe legalizimin dhe përdorimin e gazit lotsjellës për vetëmbrojtje.

Të martën, Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar edhe personi i pestë i dyshuar se ka qenë i përfshirë në dhunimin e 11-vjecares.

“Si rezultat i punës, angazhimeve dhe hetimeve intensive nga Policia e Kosovës, tani edhe personi i pestë i dyshuar i cili ka qenë në kërkim policorë është duke intervistuar nga hetimet rajonale të DRP Prishtinë”, ka njoftuar policia.

Sipas organeve të rendit, të gjitha veprimet e mëtejme policore lidhur me të dyshuarin i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin “dhunim” të ndodhur në Prishtinë, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka dhënë dorëheqje.

“Sot gjatë ditës kam pranuar kërkesën për dorëheqje nga Samedin Mehmeti, Drejtor i Policisë së Kosovës. Kjo kërkesë sipas Mehmeti erdhi pas rastit të fundit të dhunimit të 11 vjeçares, për arsye personale dhe ndërgjegje profesionale”, ka shkruar Sveçla në Facebook të martën.

Ai ka theksuar se tashmë kryeministri Kurti ka liruar nga detyra Mehmetit dhe ka caktuar si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm Fehmi Hotin, Zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës.

“Me këtë rast falënderoj Mehmetin për angazhimin e deritanishëm dhe bashkëpunimin e mirë si dhe i uroj suksese në detyrat e mëtejme në Policinë e Kosovës”.

Edhe drejtori për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, Ali Gashi, ka dhënë dorëheqje. Siç ka thënë ai këtë po e bën “si akt moral i Gashit, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunimin e 11-vjecares ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale”.

“Dorëheqja është miratuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar dënim meritor për dhunuesit e vajzës 11 vjeçare.

Ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se akte të tilla brutale të dhunës ndaj fëmijëve duhet të trajtohen me seriozitet.

“Kërkoj nga organet e rendit dhe të hetuesisë që të vënë personat e dyshuar sa më shpejtë para drejtësisë, e që kryerësit të marrin dënimin meritor për këtë vepër kaq të rëndë e tronditëse, të dënueshme e të papranueshme”, ka shkruar Kurti.

Ndërkaq çështjen e dhunës ndaj vajzave dhe grave e konsideron si çështje të sigurisë publike.

“Dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë dhe mirëqenies, publike e sociale”.

Kurti kërkon dënim meritor ndaj të dyshuarve që dhunuan 11-vjeçaren

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore