Sport

Goli që shënjoi një fillim të ri në futboll… Lionel Messi


Data shënon 1 maj 2005. Jemi në Camp Nou-n e Barcelonës. Kundërshtari aktual i blaugranëve është Albacete, e parafundit në renditje dhe që ka nevojë për të fituar pikë.
Mysafirët u mbrojtën mirë dhe rezultati i lojës qëndroi i paprekur deri në minutën e 60-të, falë golit të Samu Eto’o.

Kundërshtarët, megjithatë, nuk lëshuan rrugë, duke e mbajtur rezultatin në baraspeshë.

Derisa…

Derisa, në minutën e 88-të, Frank Rijkaard, trajneri asokohe i Barcelonës, thërret zëvendësimin. Lojtari kamerunas, që shënoi golin, del jashtë, brenda në fushë vjen një argjentinas shumë i ri.

“Ky është i çmendur!” duket se mendon numri nëntë, ndërsa largohet nga fusha i zhgënjyer.

Por, disa sekonda do të ishin të mjaftueshme për ta bërë atë që të ndryshojë mendim.

Ronaldinho me një asistim të mrekullueshëm, tipik të repertorit të tij, dërgon të porsa futurin në lojë drejt golit. Ky i fundit, duke u gjendur para Valbuena-s, e shmang atë me një parabël mjeshtërore. Duke rishikuar imazhet, goli ishte i rregullt, por nuk është ende koha e Var-it. Gjyqtari ngre krahun dhe sinjalizon për lojë jashtë loje.

Numri 30, asokohe, i kalon disa momente në dëshpërim, duke ëndërruar për një gol në Camp Nou. Sidoqoftë, mjafton një fjalë nga shoku i ekipit dhe idhulli i tij brazilian për ta siguruar: “Hej, mos u shqetëso, vogëlush, tani do të të jap një tjetër asist”. Dhe Dinho i mban premtimet.

Pas një muri me Dinhon, ky i fundit i qëndis një tjetër asist me klas botëror. Djali i vogël nga Rosario, gati fotokopje me të parin, përsëri gjuan me parabolë drejt portës.

Këtë herë, goli është i rregullt dhe asgjë nuk mund të prishë gëzimin e papërmbajtshëm për golin e parë mes të mëdhenjve. Barça, me atë fitore, ishte një hap larg titullit pas pesë vitesh të gjata.

Atmosfera bëhet magjike, Camp Nou nxjerr të gjithë pasionin e një populli të ngrohtë dhe krenar si ai katalanas.

Në atë moment ndodh ajo që duket për të gjithë një dorëzim i vërtetë. Një Dinho euforik përkulet duke e ngjitur Messi-n në shpatullat e tij, si një triumf përpara të gjithë atyre njerëzve të ngazëllyer. Mësuesi që lartëson nxënësin para gjithë botës. Pjesa tjetër është histori, por histori në të vërtetë.

Si quhet ai djalosh?

Lionel Messi, ata thjesht e thërrasin Leo, dhe ai shkroi një nga “romanet më të mrekullueshëm” të futbollit ndonjëherë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore