Lajme

Gjysma e shteteve të OSBE-së kërkojnë nga Kosova e Serbia t’i zbatojnë marrëveshjet


Ilustrim

Një dyzinë shtetesh të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropian (OSBE), nëpërmjet një deklarate të përbashkët rreth raportit gjashtëmujor të misionit të OSBE-së në Kosovë, kërkuan nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE) për normalizimin e marrëdhënieve.

Rreth gjysma e shteteve anëtare të OSBE-së bënë thirrje që obligimet nga marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve që liderët e Kosovës dhe Serbisë e arritën vitin e kaluar, fillimisht në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut, duhet të zbatohen plotësisht, duke e cilësuar thelbësore për stabilitetin dhe prosperitetin rajonal.

“Ne besojmë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për stabilitetin dhe prosperitetin rajonal. Ne i nxisim të dy vendet që të angazhohen në mirëbesim dhe në mënyrë konstruktive në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, duke shmangur veprimet e njëanshme, drejt forcimit të demokracisë dhe integrimin ekonomik në BE”.

Në mesin e shteteve anëtare që OSBE-së që sponsorizuan deklaratën janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Austria, Belgjika, Bullgaria, Kanadaja, Kroacia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Irlanda, Islanda, Italia, Letonia, Lituania, Malta, Mali i Zi, Holanda, Norvegjia, Sllovenia, Suedia, Zvicra dhe Çekia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore