Lajme

Gjermania do të hapë kampet e paraburgimit


Gjermania ka njoftuar planet për hapjen e kampeve të paraburgimit, për ata që nuk respektojnë rregullat e karantinës. Ky lajm vjen pas vendimit për zgjatjen e karantinës.

Për kampe të ngjashme po diskutohet dhe në New York e Australi.

E përditshmja britanike “TheTelegraph” raporton se, qendrat e paraburgimit ose kampet e burgjeve, do të përdoren për të gjithë ata që shkelin rregullat e karantinës.

Njerëzit të cilët refuzojnë të shkojnë në vetë-izolim pasi janë testuar pozitivisht për COVID-19, ose pasi kanë rënë në kontakt me dikë që është  ‘pozitiv’, mund të vendosen në qendrat e paraburgimit.

Sidoqoftë, mediat gjermane shprehen se ata që nuk pranojnë të karantinohen duhet së pari të paralajmërohen dhe më pas të marrin një gjobë.

“Kampet e burgut do të përdoren vetëm për ata që kanë shkelur në mënyrë të përsëritur rregullat e karantinës”, u shprehën zyrtarët gjermanë.

“Ne nuk supozojmë se do të ketë shumë, por në çdo rast do të ketë një strukturë për t’i akomoduar ata”, shtuan ata.

Tri lande në Gjermani do të përdorin procedura të ngjashme për të ndaluar shkelësit e rregullave.

Në Baden-Württemberg, dy spitale do të kenë dhoma të rezervuara për shkelësit, të cilat do të ruhen nga policia.

Brandenburgu do të përdorë një pjesë të një qendre refugjatësh, ndërsa Schleswig-Holstein do të përdorë një zonë brenda një qendre paraburgimi për të mitur.

Të njëjtat masa do të merren dhe në New York, ku guvernatorit do t’i jepet e drejta për ndalimin e kujtdo që paraqet një rrezik potencial për shëndetin e të tjerëve.

Teksti i projekt-ligjit nuk është akoma gati  për COVID-19,  por mund të përdoret në rast se guvernatori deklaron “një emergjencë shëndetësore të shtetit”./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore