Lajme

Gjenerali amerikan: Rusia ka humbur strategjikisht, operacionalisht dhe taktikisht


Gjenerali Mark Milley, këshilltari më i lartë ushtarak i Presidentit Joe Biden, ka thënë se Rusia ka dështuar në “çdo objektiv” në luftën kundër Ukrainës.

“Rusët kanë dështuar çdo herë. Kanë humbur strategjikisht, kanë humbur në aspektin operativ dhe taktikisht”, ka thënë  Milley.

Sipas tij, riformulimi strategjik i objektivave të tyre, i pushtimit të paligjshëm, “kanë dështuar të gjitha, secili prej tyre”.

“Në të gjithë gjurmën e vijës së frontit prej rreth 900 kilometrash, ukrainasit kanë arritur sukses pas suksesi dhe rusët kanë dështuar çdo herë”, ka shtuar ai.

Ai ka folur po ashtu për shanset e Ukrainës për të dëbuar rusët.

“Probabiliteti i një fitoreje ushtarake ukrainase – e përcaktuar si dëbimi i rusëve nga e gjithë Ukraina për të përfshirë atë që ata pretendojnë si Krime – probabiliteti që kjo të ndodhë së shpejti nuk është i lartë, ushtarakisht”, ka thënë ai.

Sipas tij, e mundshme është një zgjidhje politike, në të cilën rusët të tërhiqen.

Ai ka vijuar duke thënë se Rusia ka ende fuqi të konsiderueshme luftarake brenda Ukrainës, pavarësisht se pësoi pengesa ushtarake.

Milley ka folur gjatë konferencës së mbajtur në Washington, pjesë e së cilës ka qenë edhe Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-ve, Lloyd Austin.

Sipas Austin, vendet nuk duhet të shkojnë përpara hetimit për raketën në tokën polake.

Ai ka treguar se SHBA-të janë ende duke mbledhur informacione, “por ne nuk kemi parë asgjë që kundërshton” sugjerimin e NATO-s dhe Polonisë se ka të ngjarë të ishte një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase që u rrëzua.

“Ky incident tragjik dhe shqetësues është një tjetër kujtesë e pamaturisë së luftës së zgjedhur të Rusisë”, ka thënë ai, duke shtuar se Ukraina nuk ka zgjidhje tjetër veçse të mbrohet.

Një tregues i qartë ky, se liderët perëndimorë po shkelin një vijë midis ndarjes së atyre që ata besojnë se janë faktet paraprake dhe vazhdimit të mbështetjes së tyre për Ukrainën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore