Lajme

Gjakderdhja në Beirut, Hezbollah thotë se nuk do të shkojë në luftë civile


Grupi shiit libanez Hezbollah tha të premten se, nuk do të tërhiqej në luftë civile edhe pse rriti akuzat kundër partisë të Forcave të Krishtera Libaneze (LF).

Hezbollah i akuzon ata pёr vrasjen e shtatë besimtarёve shiitë në dhunën më të përgjakshme në rrugë të Beirut-it në vite.

Akuza, e mohuar nga LF, nënvizon përkeqësimin e tensioneve sektare pas dhunës së së enjtes e cila filloi ndërsa njerëzit po mblidheshin për një protestë të thirrur nga Hezbollah kundër gjyqtarit që heton shpërthimin e portit të Beirut-it vitin e kaluar.

Hetimi mbi shpërthimin katastrofik ёshtё akoma midis dyshimeve në rritje, teksa hetuesit po marrin në pyetje zyrtarë që përfshijnë aleatë të Hezbollahut.

Dhuna, e cila shpërtheu në një kufi midis lagjeve myslimane të krishtera dhe shiite, i ka shtuar shqetësimet për stabilitetin e vendit tё mbushur me armë, i cili përballet gjithashtu me një nga krizat më të mprehta ekonomike në botë.

Forcat libaneze dënuan të enjten dhunën duke fajësuar grupin Hezbollah për “nxitje” tё protestave kundër gjyqtarit Tarek Bitar.

Duke folur në funeralin e anëtarëve të Hezbollahut të vrarë të enjten, udhëheqësi i lartë i Hezbollahut, Hashem Safieddine akuzoi forcat libaneze.

Ai u shpreh se ato janë të pajisura me një milici të fuqishme dhe po përpiqeshin të fillonin një luftë civile.

Safieddine akuzoi LF-në për marrjen e urdhrave nga Shtetet e Bashkuara. Kjo e fundit liston Hezbollahun si një grup terrorist dhe thotë se është financuar nga “disa vende arabe”, një referencë e dukshme për Arabinë Saudite.

Nënsekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland, gjatë një vizite në Beirut të enjten, shprehu ngushëllimet për “humbjet tragjike të jetëve” dhe bëri thirrje për qetësi dhe de-përshkallëzim.

Arabia Saudite, e cila e sheh gjithashtu Hezbollahun si një grup terrorist, tha se shpresonte që situata të stabilizohej sa më shpejt të ishte e mundur.

Ceremonia e varrimit në periferinë jugore të Beirut-it, Dahiyeh, Liban, 15 Tetor 2021.
Çfarë ka ndodhur 

Kryqi i Kuq Libanez konfirmoi ditën e enjte se shtatë persona vdiqën dhe më shumë se 30 u plagosën nga përshkallëzimi i dhunës në protestat pranë Pallatit të Drejtësisë.

“Të shtënat me armë të rënda vazhdojnë ende”, raportoi Kryqi i Kyq në Liban rreth orës 2 të pasdites me kohën lokale.

Nuk ishte ende e qartë se kush dhe pse i ndezi të shtënat.

Ministri i Brendshëm i Libanit konfirmoi se ishin hedhur granatathedhës B7-RPG.

Kryeministri libanez, Najib Mikati, u transferua në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes për të monitoruar situatën, ndërsa përleshjet u përshkallëzuan edhe më në lagjen Beirut të Tahouneh.

Burime të drejtpërdrejta të mediave lokale treguan njerëz të maskuar, me mitralozë në zonë me automjete të blinduara ushtarake që u vendosën në rrugë.

Një protestues i maskuar gjuajti me armë nga pragu i njё rruge, ndërsa tymi i zi u shfaq në një prej ndërtesave aty pranë.

Agjencia mediatike “Associated Press” raportoi se, forcat e krahut të djathtë të Libanit të Krishterë mobilizuan mbështetësit të mërkurën mbrëma, pasi Hezbollah dhe aleatët e tij bënë thirrje për zhvendosjen e protestës në një zonë me besimtarë të krishterë.

Video me mbështetës të FL- një nga partitë libaneze kundërshtare të Hezbollah-duke marshuar në rrugë me kryqe të mëdha qarkulluan në mediat sociale.

Associated Press po ashtu tregoi një burrë duke hapur zjarr me pistoletë dhe persona të shumtë të armatosur që qëllonin në drejtim të protestuesve nga ballkoni i një ndërtese.

Të paktën dy burra u plagosën dhe u gjakosën. Pas shkëmbimeve të armëve mes palëve myslimane dhe të krishtera të kryeqytetit, ushtria tha se dërgoi patrulla në zonë për të kërkuar personat e armatosur.

Ajo tha se, “do të qëllonte mbi çdo person të armatosur në rrugë” dhe u kërkoi civilëve të largohen nga rrugët pranë vendit të përplasjeve.

Albanian Post siguroi gjithashtu pamje ekskluzive të përshkallëzimit të dhunës në rrugët e kryeqytetit të Libanit.

Në video tregoheshin pamje të rënda të njerëzve të armatosur duke marshuar dhe duke qëlluar drejt njerëzve.

Në një moment, një burrë teksa po ecte dhe qëllonte duke mbajtur një bazuka në dorë, duket teksa vritet nga një person tjetër, i cili nuk identifikohej në video.

Përkrahësit e grupit shiit Amal gjuajnë armë në ajër gjatë procesioneve të varrimit të Hassan Jamil Nehmeh, i cili u vra gjatë përleshjeve të djeshme, në periferinë jugore të Beirutit, Dahiyeh, Liban, 15 Tetor 2021.
Çështja “Bitar”

Grupi Hezbollah ka qenë një kundërshtar i fortë i Tariq Bitar, gjykatësit popullor, i cili po udhëheq hetimin e shpërthimit në Beirut – më 4 gusht të vitit 2020 – dhe ka kërkuar ndjekjen penale të zyrtarëve të nivelit të lartë.

Sipas ligjit libanez, gjykatësi Tarek Bitar detyrohet që të ndalojë hetimin.

Ai kishte paraqitur kërkesa të reja në Ministrinë e Brendshme dhe Komunat për të thirrur shefin e Sigurisë së Përgjithshme Gjeneral, Abbas Ibrahim-in, dhe shefin e Sigurisë së Shtetit, Gjeneral Major Tony Saliba.

Gjyqësori do të përcaktonte nëse Bitar do të vazhdonte të udhëhiqte hetimin.

Machnouk, një parlamentar në detyrë, si dhe ish-ministri i Punëve Publike, Youssef Finianos, kërkuan të hiqte Bitar-in nga hetimi i shpërthimit.

Ata e akuzuan gjyqtarin për paragjykime dhe sjellje të pahijshme.

Këtë javë, gjykatësi lëshoi ​​një urdhërarresti kundër ligjvënësit Ali Hassan Khalil, një zyrtar i lartë i Amal (Partia libaneze shiite, aleate e Hezbollah-ut) dhe ish-ministër i Financave.

Që nga emërimi i tij në shkurt, Bitar, i cili gjithashtu drejton Gjykatën Penale të Beirutit, ka kërkuar zyrtarë të lartë politikë dhe të sigurisë për t’u marrë në pyetje në hetimin e shpërthimit në Beirut.

Ai është hetuesi i dytë gjyqësor që drejton hetimin.

Gjyqtari i parë, i ngarkuar me shqyrtimin e hetimit, u shkarkua pasi dy ish-ministra të akuzuar në hetim paraqitën me sukses një mocion për largimin e tij.

Disa peticione ligjore nga zyrtarët që ndiqen penalisht për të shkarkuar Bitarin kanë qenë të pasuksesshme.

Shpërthimi i portit në Beirut

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore