Kosova

Gërvalla: Kosova do ta mbrojë integritetin territorial së bashku me vendet aleate


Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz është takuar me ambasadoren jo rezidente të Letonisë në Kosovë, Elita Kuzma me të cilën ka biseduar për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

“Ministrja Gërvalla e informoi për kërcënimet e vazhdueshme dhe agresionin e Serbisë kundër Kosovës që kulmoi me sulmin terrorist të 24 shtatorit. Kosova do të mbrojë integritetin territorial të saj dhe njëkohësisht së bashku me vendet aleate, partnere dhe mike angazhohet për ruajtjen e stabilitetit të rajonit duke synuar edhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, bëri të qartë Gërvalla”, thuhet në njoftim për media të MPJD-së.

Ministrja Gërvalla theksoi se Republikën e Kosovës dhe atë të Letonisë i bashkojnë vlerat e përbashkëta dhe se të dyja vendet kanë kaluar sfidat e ngjashme në rrugëtimin e tyre për liri e pavarësi.

“Gjatë takimit pati pajtueshmëri që marrëdhëniet dypalëshe në mes dy vendeve të thellohen edhe më tej, përderisa Ambasadorja Kuzma ritheksoi mbështetjen e palëkundur të Republikës së Letonisë për Republikën e Kosovës në rrugën e saj integruese euro-atlantike”.

Për sulmin terrorist më 24 shtator, Kosova ka akuzuar drejtpërdrejt Serbinë, derisa Milan Radojiçiç, person i afërt i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, mori përgjegjësinë.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist në Banjë, teksa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë, por edhe bashkëpunim pa kushte në këtë proces nga ana e Serbisë.

Kosova ka kërkuar nga BE-ja që për shkak të këtij sulmi, Serbisë t’i vendosen sanksione, mirëpo për një gjë të tillë nga Unioni kanë theksuar se do të vendosin pasi që të përfundojnë hetimet.

Nga ana tjetër Serbia nuk është distancuar fare nga kjo ngjarje, përkundrazi, ka shpallu ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore