Lajme

Gërvalla duartrokitet në Londër, konfronton praninë e Daçiç-it në panel


Donika Gervalla ne Panel

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, është duartrokitur nga audienca në Londër, në Konferencën kundër Dhunës Seksuale në Konflikt, pasi ka kundërshtuar praninë e ministrit të Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili ishte pjesë e njërit nga panelet.

Fillimisht, tha Gërvalla, “si një vend që kemi ardhur nga gjenocidi nuk mund të kontribuoje shumë se si të trajtoni kriminelet, sepse ata vijnë nga jashtë në rastin tonë” dhe më pas filloi argumentimin pse Daçiç nuk do të duhej të ishte në sallë.

“Jam e shokuar nga prezenca në panel e Ivica Daçiç, njërit nga autorët e krimit, njëri nga arkitektët kryesorë të gjenocidit në Ballkanin Perëndimor, në Bosnje dhe Kosovë dhe duke pasur këtë arkitekt duke dhënë këshilla në prezencë të viktimave dhe të mbijetuarave duhet të na bëjë të mendojmë për sensin e këtyre konferencave”, pohoi Gërvalla.

“Si mund të flas për këtë, kur para viktimave seksuale që kanë ardhur këtu, që kanë treguar që nuk po heqin dorë, të ulën në këtë dhomë dhe të konfrontohen me këtë situatë kur në këtë vend ishte i ulur një nga autorët e krimit. Dora e djathtë e Sllobodon Millosheviç-it”.

Gërvallës i është kërkuar nga mikpritësi që ta shfrytëzojë kohën e saj të tregojë se si mund të bëhen përpjekje të përbashkëta për këtë çështje, por ajo ka refuzuar të përgjigjet, meqë ishte ndjerë e irrituar nga prezenca e Daçiç.

“Më vjen keq që nuk dua të jap përgjigje, jo për të mos respektuar juve, por nuk duhet të konfrontohen viktimat në një terren neutral me dhunuesit”, përfundoi ajo.

Sipas të dhënave të organizatave ndërkombëtare, janë rreth 20 mijë gra shqiptare kryesisht, të dhunuara vetëm gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore