Lajme

Gashi, Ramës: Kompetent për propozimin e Asociacionit është vetëm Qeveria e Kosovës


Arben Gashi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, e ka kundërshtuar draftin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Gashi përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se përgjegjëse për hartimin e draftit të Asociacionit është vetëm Qeveria e Kosovës.

“Të jemi të qartë e të saktë; kompetent për propozimin e statutit të asociacionit, si dhe menaxhimin me partnerët ndërkombëtarë, është vetëm Qeveria e Kosovës, askush tjetër, asnjë Qeveri e ndonjë vendi tjetër”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Ndryshe, në duart e krerëve evropianë ka përfunduar një draft i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Dorëzuesi dhe kontribuuesi ka qenë pikërisht kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Dje i kam përcjellë presidentit Macron dhe kancelarit Scholz, që janë dy kumbarët e propozimit franko-gjerman një draft të asociacionit, për të cilën kam vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, si dhe palën amerikane”, pohoi fillimisht Rama gjatë një konference për shtyp.

Sipas tij, bëhet fjalë për një draft të punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë amerikan dhe evropian prej kohësh, “gjë që është bërë pikërisht në rast se do të vinte kjo ditë”.

“Për mua i pakuptueshëm është pozicioni i Kosovës dhe jo i Serbisë që e përsëris, bën atë që ka bërë dhe herë të tjera, palët nuk po merren dot vesh as se kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më të merret vesh se çfarë duhet të ketë teksti”, shtoi kreu i Qeverisë.

Për Ramën, “nyja Gordiane e dialogut” do të ishte Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“E kam ditur me kohë që nyja Gordiane e dialogut do të ishte deri në fund asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe bindja ime është se asnjëra nga palët nuk e do asociacionin dhe do të bëjë çmos që ta shtyjë atë në pafundësi, duke mbajtur të hapur krizën me lloj-lloj artificash politike apo teknike”, theksoi në vijim kryeministri.

Kryeministri shqiptar vërejti se bëhet fjalë për një dokument konfidencial, i cili pa diskutim nuk pretendon të jetë “zgjidhja ideale”.

“Ju siguroj që është një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e asociacionit dhe patjetër merr në konsideratë që asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës duke adresuar të gjithë rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, shtoi ai.

Edi Rama propozon një draft për Asociacionin në Kosovë

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore