Aplikacione

Fushata e YouTube-it për vaksinimin e të rinjve


Në Mbretërinë e Bashkuar, platforma e videove, YouTube, ka nisur një fushatë reklamuese shumë milionëshe për të inkurajuar të rinjtë të vaksinohen kundër COVID-19.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se kjo do të mundësohet përmes një partneriteti me NHS-në çka do të përfshijë reklama nëpër autobusë dhe stacione të tyre, tabela dhe të tjera që do të shfaqen në YouTube, faqen që paguan për to.

Kjo lëvizje e platformës së videove vjen pas kritikave që ka marrë lidhur me ngadalësimin e ndalimit të përhapjes së dezinformimit mbi coronavirus-in.

Kritikat kanë qenë të pranishme edhe pse kompania ka deklaruar se ka hequr mbi 900 mijë video të COVID-19 për të cilat ka thënë se kishin thyer rregullat e platformës.

Slogani i kësaj fushate të YouTube-it do të titullohet “Let’s Not Go Back” (Të Mos Kthehemi Pas) dhe do të shfaqë ngjarje dhe aktivitete në grup – ngjashëm si koncertet – të cilat do të jenë përsëri të mundshme edhe pas pandemisë.

Ben McOwen Wilson, drejtori i menaxhimit të platformën në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë se donte të shmangte “ambivalencën e vaksinave” mes të rinjve. Kjo pasi jeta fillon të kthehet në normalitet gjatë verës.

Ai ka vazhduar se YouTube-i ka “shtrirje të madhe” te individët nën 35 vjeç dhe se platforma mund të komunikojë me ta në një mënyrë të lehtë dhe jo predikuese.

Politika e YouTube-it mbi ndalimin e pretendimeve mashtruese lidhur me vaksinën e coronavirus-it ndryshoi në muajin tetor, megjithatë prapë u përball me kritika të vazhdueshme për përhapjen e dezinformimeve.

Wilson-i ka pohuar se politikat e YouTube-it janë rishikuar rregullisht edhe pse pandemia ka “lëvizur me shpejtësi”. Dhe se për këtë ka punuar me partnerë informimi si NHS-ja dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ai ka rrëfyer se platforma ka hequr 900 mijë video që kanë thyer rregullat e saj për dezinformimin ndaj pandemisë së coronavirus-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore