Përballje

Fuqiplotë pa armë në dorë, Real Madrid fiton në Bergamo


Të mërkurën në mbrëmje, 19-shja më e dobët e dekadës së fundit e Real Madrid-it udhëtonte për t’u përballur me Atalanta-n e frikshme.

13 lojtarë nga skuadra e parë në dispozicion, nga të cilët dy ishin portjerë.

Në këtë ndeshje, sikur rrallë herë, Real Madrid vinte si inferiorë ndaj kundërshtarit, gjithnjë bazuar në komentet e ekspertëve më të mëdhenj të futbollit.

Atalanta startonte skuadrën e tyre më të mirë.

Kurse, befasisht, Zinedine Zidane vendosi që sulmuesin e vetëm që kishte, Mariano-n, ta ulte në stol, duke startuar me Iscon si një numër 9 i improvizuar.

Ndeshja filloi mirë për Real Madrid-in, që qarkullonte topin shumë duke privuar Atalanta-n nga loja e tyre e zakonshme.

Rrjedha e ndeshjes ndryshoi pas 17 minutash, kur Freuler pengoi Mendy-n në një situatë një kundër një dhe u ndëshkua me karton të kuq.

Gjërat nga ky minut u lehtësuan për Real Madrid.

Por, përkundër se me një futbollist më shumë në fushë, Real Madrid nuk kishte një golashënues tipik dhe kjo pamundësoi që të krijoheshin shumë raste për gol.

U desh të pritej minuta e 86-të për të parë golin e vetëm të ndeshjes.

Me një predhë nga jashtë zonës, lojtari që nuk shënon pothuajse asnjëherë, Ferland Mendy, i dhuroi epërsinë Real Madrid-it.

Me këtë fitore, Real Madrid shkon me një avantazh të jashtëzakonshëm për ndeshjen e dytë në Madrid, e cila zhvillohet më 16 mars.

Në ndeshjen e kthimit, Real Madrid-it pritet t’i kthehen edhe yjet e skuadrës nga lëndimi.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore