Lajme

Fol: Po tentohet të heshtet shoqëria civile


Ilustrim

Shoqëria civile në Kosovë, gjatë ditës së hënë kishte kundërshtuar nënshkrimin e një marrëveshjeje konfidencialiteti e cila ishte kërkesë eksplicite e Komisionit ad -hoc e Kuvendit të Kosovës në rastin e përzgjedhjes së anëtarit të Bordit për Ankesa për Media.

Marrëveshja në fjalë, parashihte që përfaqësuesit e shoqërisë civile të cilët do ta monitoronin procesin e përzgjedhjes së anëtarit të Bordit në fjalë, nuk mund të diskutonin hapur apo të publikonin materiale lidhur me kandidatët si dhe ecurinë e procesit gjatë kohëzgjatjes së këtij procesi.

Sipas, Drejtoreshës Ekzekutive të Organizatës jo – Qeveritare, Lëvizja Fol, Mexhide Demolli – Nimani, përmes kësaj marrëveshjeje pamundësohet puna e organizatave dhe privohet e drejta e publikut për t’u informuar.

“Përmes kësaj deklarate të konfidencialitetit po tentohet që të heshtet shoqëria civile dhe t’i mbyllet goja aktivistëve. Për më tepër kufizimet e përcaktuara me këtë Marrëveshje për Konfidencialitet janë të kundërligjshme, e cenojnë rëndë të drejtën e informimit të publikut dhe e pamundësojnë punën e shoqërisë civile”, ka thënë ajo për Albanian Post.

Aktivistja Demolli – Nimani, është shprehur se është e çuditur me vendimin e qeverisë pasi sipas saj “Qeveria Kurti sa ishte në opozitë ka premtuar transparencë radikale, ndërsa tani një gjë e tillë nuk është duke ndodhur”.

Ajo ka treguar gjithashtu se si shoqëri civile ata do të “insistojnë rekrutimin në pozita në bazë të meritokracisë dhe do të reagojnë gjithmonë kur do të ketë parregullsi në çfarëdo procesi”.

Në rast se kjo “iniciativë” e kuvendit nuk tërhiqet, Demolli – Nimani ka bërë të ditur se ata  nuk do të jenë më pjesë e monitorimit, gjë që do t’i pamundësoj këtij procesi të kualifikohet si legjitim.

“Ne nuk do të jemi pjesë e monitorimit sipas kërkesave të tyre sa për t’ia legjitimuar proceset. Sepse pas përfundimit të një procesi nuk ka më asnjë logjikë që reagohet. Me insistimin e tyre për këtë marrëveshje ata vetëm sa po na shtojnë dyshimet për rekrutime të familjarëve apo militantëve partiak”.

Ndërsa kryesuesi i këtij komisioni ad – hoc, dhe njëherësh deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka kërkuar nga administrata e Kuvendit të Kosovës ta rishikojë bazën ligjore për ta mësuar se sa është e arsyeshme kundërshtimi i shoqërisë civile në rastin e marrëveshjes së konfidencialitetit.

“Unë kamë kërkuar nga administrata që të bëjë kërkesë në zyrën ligjore të kuvendit, që të shikojë bazën ligjore se si është vendosur kjo marrëveshje për të mos vendosur në mënyrë arbitrare, si dhe për ta mësuar se a është e arsyeshëm kërkesa e ojq-ve, në këtë rast”, ka thënë Lushtaku për Albanian Post.

Lushtaku, është çuditur se përse kjo gjë ka bërë bujë të madhe, por ai megjithatë ka treguar se kërkesa e tyre është e drejta e tyre prandaj “kam kërkuar edhe përgjigje nga zyra ligjore për sqarime më të detajuara lidhje me këtë”, ka shtuar ai.

Marrëveshja e konfidencialiteti e dërguar për tu nënshkruar nga ana e OJQ-ve të cilat do të marrin pjesë në përzgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa për Media.

Kuvendi i Kosovës është në procedurë të përzgjedhjes së anëtarit të Bordit të Ankesave të Mediave të Komisionit të Pavarur për Media (KPM). Përzgjedhja do të bëhet nga komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave të përbërë nga:  Mërgim Lushtaku dhe Floretë Zejnullahu (Partia Demokrative e Kosovës) dhe anëtarët Valon Ramadani, Doarsa Kica Xhelili, Njazi Isaku, Fitim Haziri dhe Besim Muzaqi (Lëvizja Vetëvendosje), Agim Veliu (Lidhja e Demokratike e Kosovës), Time Kadriaj (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës), Igor Simic (Lista Serbe) dhe Samra Iljazi (Grupi Multietnik).

Marrëveshja e kundërligjshme është propozuar dhe dërguar për nënshkrim në email të disa organizatave pas takimit të parë të komisionit ad-hoc të mbajtur më 26 korrik 2021. Kjo marrëveshje është propozuar nga kryesuesi i komisionit ad-hoc Mërgim Lushtaku dhe nuk është kundërshtuar nga asnjë nga deputetët e tjerë të Komisionit Ad-Hoc që ishin prezentë.

Organizatat jo qeveritare në Kosovë, një zëri, kanë kërkuar që deputetët e lartëpërmendur të Komisionit ad hoc të Kuvendit të Kosovës për përzgjedhjen e anëtarit të Bordit për Ankesa të Mediave të tërhiqen nga kjo iniciativë dhe të lejojnë organizatat e shoqërisë civile dhe aktivistët që të monitorojnë lirshëm.

Organizatat dhe aktivistët nënshkrues:

  1. AMPEK
  2. Ardita Metaj Dika
  3. Center for Education and Training Prizren
  4. D+
  5. Flutura Kusari
  6. Fondacioni Kosovar pёr Shoqёri Civile (KCSF)
  7. GERMIN
  8. GLPS
  9. GAP
  10. KDI
  11. QPA
  12. PIPS
  13. Instituti EPIK
  14. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
  15. Klubi Alpin Prishtina
  16. Lëvizja FOL
  17. OJQ “VISION 02”
  18. Rrjeti i OJQ-ve, Demokracia Fillon Këtu (DFK)
  19. YIHR KS

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore