Aplikacione

Florida mes politikanëve dhe mediave sociale


Në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është aprovuar nga të dyja dhomat e legjislaturës, një projektligj i ri i diskutueshëm që ndalon ndërmarrjet teknologjike nga largimi i politikanëve.

Agjencia e lajmeve, BBC, tregon se tanimë projektligji është në pritje për t’u nënshkruar nga guvernatori Ron DeSantis, aleati i ish presidentit amerikan Donald Trump.

Ky projektligj i ri i lejon platformat të pezullojnë llogaritë e politikanëve, por vetëm për 14 ditë. Dhe në rast shkelje të ligjit, platformat mund të gjobiten deri në 250 mijë dollarë në ditë.

Mirëpo, gjatë muajit të kaluar, një grup që promovon shprehjen e lirë në interneti quajtur NetChoice, ka dëshmuar kundër këtij legjislacioni.

Një nga rastet më të njohura të heqjes së llogarive të politikanëve nga një platformë teknologjike është ai i Trump-it, i cili u ndalua nga Twitter-i dhe u pezullua më pas nga Facebook-u dhe YouTube-i pas trazirave të janarit në Capitol Hill.

BBC zbulon se pas largimit të ish presidentit nga detyra, ai ka kaluar shumë kohë në Florida. Dhe besohet se është i afërt me DeSantis dhe republikanë të tjerë të rangut të lartë që janë të vendosur atje.

Përpos kësaj, disa kritikë janë të mendimit se ligji i ri mund të ketë pasoja të padëshiruara.

Steve DelBianco, shefi ekzekutiv i NetChoice-it, ka thënë gjatë muajit të kaluar teksa dëshmonte kundër projektligjit se “imagjinoni nëse qeveria të kërkonte që kisha të lejonte komente të krijuara nga përdoruesit apo reklama të palëve të treta që promovojnë abortin në faqen e saj të mediave sociale”.

Ai ka vazhduar se “ashtu si kjo do të shkelte Amendamentin e Parë (garanton të drejtën për lirinë e fjalës), ashtu edhe projektligji do të detyrojë në mënyrë të ngjashme platformat e mediave sociale të mbajnë përmbajtje që përndryshe nuk do ta lejonin”.

Ama projektligji u mori miratimin e të dyja dhomave dhe pritet që kompanitë teknologjike ta sfidojnë atë në gjykatë duke theksuar se ligji shkel të drejtat e Amendamentit të Parë të Amerikës.

Ndër të tjera, projektligji përfshin edhe një klauzolë sipas së cilës përjashtohen nga ligji ato kompani që zotërojnë një park apo kompleks argëtimi. Çka nënkupton se Disney, përjashtohet nga ligji.

Kjo ëshë etiketuar nga disa krijues të ligjit si “hipokrite” pasi Florida është shtëpia e parkut të argëtimit, Disney World.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore