Kosova

Fjalori ofendues në seancën e Kuvendit të Kosovës


Gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, ka pasur një degradim të fjalorit në mes të kryesueses së seancës, Saranda Bogujevci dhe deputetëve të opozitës.

Fjalosja në mes të Bogujevcit dhe shefit të grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi ka ardhur pasi që Bogujevci nuk ia ka dhënë fjalën Gashit me arsyetimin që ai më herët ka folur në emër të grupit parlamentar të LDK-së.

Pas mos dhënies së fjalës, Gashi i LDK-së është afruar pranë kryesueses së seancës për sqarime.

Shefi i grupit parlamentar i LDK-së ka kërkuar që ministri Hekuran Murati të mos përzihet në punën e Kuvendit, duke i thënë “le të ulet në both“.

Ndërsa si kundërpërgjigje Bogujevci  ka thënë se “me atë fjalor nuk të lejoj me u qas, andaj shko ulu në vendin tënd”.

Ndërsa për këtë përplasje, komenti i deputetit Armend Zemaj ishte se kryesuesja nuk po di ta menaxhoj seancën duke iu drejtuar me fjalën “sa naive”.

Të gjitha këto diskutime po ndodhin pasi shefja e grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, propozoi që në rend dite të futen edhe dy pika që kanë të bëjnë me AKP-në dhe ARKEP-in, për çka u  kundërshtua nga opozita.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore