Kosova

Fjalimi i Ramës në KiE, Krasniqi: Qëndrim dinjitoz dhe dashuri e pakushtëzuar për Kosovën


Edi Rama dhe Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka falënderuar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për angazhimin e tij kundër raportit të Dick Martyt gjatë sesionit të asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se është “fat i madh për Kosovën që në këtë periudhë sfiduese, Shqipëria ka një kryeministër si Edi Rama”.

“Nuk e humb asnjë mundësi që i jepet për të mbrojtur Kosovën, luftën tonë çlirimtare dhe të drejtën tonë të patjetërsueshme për liri dhe pavarësi”, ka deklaruar Krasniqi.

Autoritetet shqiptare dorëzuan më 12 gusht pranë institucionit evropian rezolutën e kaluar më herët në parlament.

Fjalimi i kreut të qeverisë është parashikuar të jetë 60 minuta.

Foto e postuar ne Facebook nga Memli Krasniqi: Faleminderit!

Çfarë kërkon Shqipëria?

Sipas kërkesës së delegacionit shqiptar pranë organit të lartë evropian, do të kërkohet të përgatitet një raport i ri, për të zhbërë efektet e atij të Dick Marty-t.

Ky i fundit, është premisë direkte edhe e ngjizjes së Gjykatës Speciale, e cila ka çuar për gjykim në Hagë ish-drejtuesit e lartë të UÇK-së.

Në dokument po ashtu shtohet se të gjitha pretendimet e ngritura nga Dick Marty në raport janë të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova e fakte.

Për rrjedhojë, ato duhet të cilësohen si të tilla nga të gjitha institucionet ndërkombëtare.

“Për këtë qëllim propozojmë këtë ‘Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri’”, vijohet më tej.

Këshillit të Evropës, ndër të tjera, i kërkohet të distancohet nga akuzat e paprovuara nga hetimet ndërkombëtare sepse 11 vite pas hartimit të raportit, asnjë nga pretendimet e ngritura prej tij nuk është vërtetuar.

Gjithashtu i kërkohet Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi.

Në projektrezolutë përsëritet thirrja për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore