Shqipëria

Fitorja e pritur dhe pikëpyetja e madhe


Kandidatët që garuan për kryetar të Partisë Demokratike

Demokratët zgjodhën sërish Lulzim Bashën si udhëheqësin e tyre, i cili u konfirmua si i tillë zyrtarisht mesditën e 14 qershorit.

Në zgjedhjet e selisë blu, që u mbajtën një ditë më parë, ai pa përballë Fatbardh Kadillin, Agron Shehajn dhe kandidaten Edith Harxhi.

Por, sipas analistëve, fitorja e Bashës ishte e parashikuar dhe nuk sjell asgjë të re.

Analisti dhe gazetari i njohur Frrok Çupi, për Albanian Post (AP) shpjegon se “defekti më i madh ishte i kandidatëve rivalë, të cilët janë në të njëjtën enë me Lulzim Bashën. Kjo, për sa i përket ‘dashurisë’ ndaj liderit historik të Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha”.

Çupi është i mendimit se fytyra e zgjedhjeve të PD-së ishte e ngjashme me ato të mëparshmet. Kjo, thotë ai, sepse asnjëri nga kandidatët nuk është distancuar nga Sali Berisha.

“Të katërt kanë një garë të vetme: garën kush i afrohet më shumë Berishës, kush e dashuron më shumë Berishën dhe kush e pranon më shumë në PD”.

I të njëjtit mendim është edhe analisti dhe kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa.

Sipas tij, “ishte një gjë e vërtetuar dhe në pikëpamjen politike e padiskutueshme”.

Çipa rendit dy arsye. “E para, buron prej faktit që autoriteti i paraardhësit të tij, Berisha, te PD-ja mbetet ‘i padiskutueshëm’. Kjo, jo vetëm brenda Partisë, por dhe në raport me autoritet e tjera, sidomos me partneritetin ndërkombëtar”.

“Arsyeja e dytë ka të bëjë me mungesën e barazisë së garës. Pra, munguan elementet që japin atribute të përbashkëta dhe të barabarta secilit prej katër kandidatëve. Dhe, për këto arsye, nuk mund të diskutohej rikonfirmimi i Bashës”.

Si do të jetë e ardhmja e pushtetit të PD-së?

“E ardhmja e PD-së është një gjë e pasigurt”, mendon Frrok Çupi.

“Nëse do të ketë një Parti Demokratike apo nëse s’do ketë një të vetme. Mund të kemi dy-tre grupime, nëse atje ka vërtet tharm politik dhe demokratik. Përndryshe PD-ja do të zvarritet si një lëngatë që nuk mund të fitojë kurrë besimin e njerëzve”.

Më tej, ai shton se kjo parti nuk i ka fituar kurrë zgjedhjet siç i ka fituar herët e fundit Partia Socialiste (PS). “Edhe në vitin 1992, PD-ja i fitoi zgjedhjet në konsensus me të majtën”.

Që në krye të herës, sipas Çupit, PD-së i ka munguar demokracia, pozitiviteti ndaj çështjes së kombit dhe vendit.

Tanimë, qasja e kësaj partie drejt pushtetit është në pikëpyetje “shumë më të mëdha se deri sot”.

“Pikëpyetjet imponohen për shkak të situatave të reja, që janë krijuar në Shqipëri, por sidomos në PD”.

Këtë ai e argumenton, duke e lidhur me akuzat e rënda që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) i kanë bërë figurës historike të PD-së, Sali Berisha, të cilin e kanë shpallur si persona “non-grata” në SHBA.

Historia 30-vjeçare e Berishës, sipas Çupit, e shkuara e tij familjare dhe deri te ministrat kanë qenë kapituj tragjikë të Partisë Demokratike.

“Kjo është historia e Partisë Demokratike dhe pa hapur historinë, pa korrektuar historinë, pa e shëndetësuar historinë, PD-ja nuk mund t’i qaset pushtetit dhe nuk mund t’i qaset pozitivitetit”.

Ndërsa Çipa thotë se rinkonfirmimi i Bashës është i pamjaftueshëm për të pretenduar ridimensionin e PD-së. Këtë ai e lidh me përballjen me kundërshtarin politik “që është kryeministri Edi Rama dhe PS-ja në pushtet”.

“Partia Demokratike, nëse nuk e ndërton një strategji të unfikimit, të vektorëve të brendshëm të saj, për rrjedhojë të grupeve të interesit, nuk do t’ia dalë dot të fuqizohet si një opozitë solide në përballje me socialistët në pushtet”.

Sipas Çipës, ky unifikim lidhet me harkun kohor të katër viteve të ardhshme. “Do të varet nga qëndrimet që do të mbajë së pari me grupet e interesit në adresë të Bashës, si prijës politik i forcës kryesore të opozitës së vendit”.

Po ashtu, thotë ai “do të përcaktohet nga raporti që do të ndërtojë ai me kundërshtarët e brendshëm të familjes politike”.

Dhe “nga qëndrimi i mëtejshëm që do të mbajë udhëheqësi historik me probleme me faktorin ndërkombëtar: që është Berisha”.

“Nëse këto tre vektorë të rëndësishëm nuk koordinohen dhe nuk krijojnë elementin e një strategjie për vetë Partinë Demokratike, fatkeqësisht do të pësojë fatin zvogëlues dhe nuk mund të ketë përcaktueshmërinë e një strategjie për fitore të ardhshme dhe të shpejtë në pushtet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore