Shqipëria

Firmoset marrëveshja Shqipëri-Gjermani për njohjen reciproke të patentave


Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, të martën e 12 prillit ka firmosur marrëveshjen Shqipëri-Gjermani për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit për automjetet.

Balluku, gjatë fjalës së saj, e cilësoi finalizimin si një proces që i nevojitet Shqipërisë në rrugëtimin evropian.

Sipas saj, vendi ka plotësuar disa reforma për të krijuar këtë besueshmëri te shteti gjerman.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më herët deklaroi se, “ky është një konfirmim kuptimplotë i transformimit rrënjësor të sektorit, nga rrumpalla totale e 8 vjetëve më parë, në një sistem me standarde evropiane të certifikuara de facto nga misionet e inspektimit të qeverisë gjermane”.

Në draftin e dorëzuar në fund të dhjetorit 2021, Qeveria Gjermane propozoi njohjen e patentave nga Shqipëria pa provime në teori dhe praktike për pothuajse të gjitha kategoritë.

Ndryshimet priten të lehtësojnë jetën e mijëra emigrantëve që kanë ardhur nga Shqipëria.

Sipas rregullave të mëparshme, për emigrantët rezidentë në Gjermani, vlefshmëria e patentës skadonte pas gjashtë muajsh qëndrimi.

Konvertimi kushtonte deri në 1 mijë euro.

Ku njihet patenta shqiptare?

Qeveria shqiptare ka miratuar në parim marrëveshjen me Mbretërinë e Arabisë Saudite, për njohjen e patentave shqiptare.

Aktualisht lejet e drejtimit të lëshuara nga vendi ynë njihen në Belgjikë, por deri në tre muaj, në Kroaci, Maqedoninë e Veriut, Serbi, Malin e Zi, Kosovë dhe Itali.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, më herët, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës ka përcjellë propozimet për marrëveshje të ngjashme me Bullgarinë, Francën, Bosnjë dhe Hercegovinën, Turqinë, Spanjën, Austrinë, Australinë, Mbretërinë e Bashkuar, Holandën, Rumaninë, Slloveninë, Poloninë, Portugalinë, Zvicrën dhe Kanadanë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore