Lajme

Eurostat/Shqipëria ndër shtetet me moshën më të re të Evropës në 2020


Landgeist në bashkëpunim me Eurostat ka bërë publike një paraqitje të shpërndarjes demografike të Evropës. Treguesi i ngjyrës blu në hartë, implikon moshat që shkojnë drejt plakjes mbi 65 vjeç, kurse ngjyra portokalli është treguesi i një moshe më të re, pra nën moshën 35 vjeç.

Vetëm në disa shtete ka një përzierje demografike.

Vendet me një numër të madh të zonave blu janë Gjermania, Greqia, Italia, Portugalia dhe Spanja. Në Gjermani, ne mund të shohim se shumë nga këto zona blu janë përqendruar në Gjermaninë Lindore.

Përkundrejt kësaj, Gjermania ka disa pika të vogla portokalli. Ato janë qytete, shumica e tyre me një universitet të madh si Münster dhe Heidelberg.

Franca gjithashtu ka mjaft zona blu. Sidoqoftë, ka 4 zona portokalli, të vendosura rreth qyteteve kryesore, Lille, Lyon, Paris dhe Toulouse.

Greqia është shteti që ka zonën me pjesën më të madhe të njerëzve të moshës mbi 65 vjeç, Evrytania.

Vendet me shumë zona portokalli janë Shqipëria, Qipro, Islanda, Irlanda, Mali i Zi, Norvegjia dhe Turqia. Sidomos spikat Turqia.

Britania e Madhe ka një numër të madh të zonave blu dhe portokalli. Shumica e zonave portokalli ndodhen në qytetet kryesore dhe shumica e zonave blu në zonat rurale.

Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka disa qytete të mëdha si Manchester, Nottingham dhe Leicester, që kanë një pjesë shumë më të madhe të të rinjve sesa qytetet e tjera të mëdha evropiane jashtë Turqisë.

Emigrimi në 2020

Sipas studimit të fundit po prapë nga Eurostat, numri i të rinjve shqiptar që janë larguar përfundimisht nga vendi në këto 10 vitet e fundit ka arritur në 140 mijë e 390 të rinj e të reja që kërkojnë azil në vendet e Evropës.

Kërkesat për azil në këto vende përgjatë vitit 2019 pësuan një rritje të ndjeshme me 24%, duke e renditur vendin tonë ndër vendet që rrezikon shume shpejt plakjen e popullsisë. Në plane afatgjatë rrezikon edhe shpopullimin e saj.

Sërish Eurostat, në përllogartjet e saj, nxorri përfundimin se nëse Shqipëria do të vijonte me largimin e të rinjve me këto ritme, pas 70 vitesh ajo do të boshatisej.

Zyra Europiane e Mbështetjes së Azilantëve (EASO), theksonte se rreth 80 % e azilkërkuesve shqiptarë drejt vendeve të Bashkimit European i përkasin moshave të të rinjve nga të mitur deri në 34 vjeç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore