Sport

Emery, trajneri i dëshiruar nga pronarët e Newcastle


Klubi i Newcastle United është duke kërkuar për trajnerin e ri, që do ta udhëheqë projektin e madh të pronarëve të rinj arabë.

Shumë emra të trajnerëve të njohur ishin në listë, por nga lajmet e fundit që po qarkullojnë në media, spanjolli Unai Emery është një ndër kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e ekipit anglez.

Sipas asaj që shkruan “Sport1”, trajneri i Villareal-it, Emery është i preferuari i drejtuesve të klubit të Newcastle.

Madje, sipas këtyre burimeve, arabët janë të gatshëm të paguajnë dëmshpërblim për shkëputjen e parakohshme të kontratës mes Emery dhe Villarreal.

Sigurisht që kjo lëvizje do të jetë pak sa e vështirë, pasi as Villarreal-i dhe as Emery nuk janë të gatshëm ta prishin projektin ambicioz me një ndryshim të papritur në mes të sezonit.

Por, një ofertë e majme në drejtim të spanjollit dhe një projekt gjigant që parashihet të ndodhë nga pronarët nga Arabia, mund ta bindnin trajnerin 49-vjeçar.

Kujtojmë që Emery, gjatë kohës së tij si trajner, ka drejtuar klube të ndryshme, si: Paris Saint Germain, Arsenal, Sevilla, Villareal, etj.

Sukseset më të mëdha i ka treguar në Ligën e Evropës, ku ka arritur katër herë të ngrejë lart trofeun, tri herë me Sevilla-n dhe një herë me Villareal-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore