Lajme

Ekskluzive/Krimi i fjalëkryqeve


Në prag të rënies së Murit të Berlinit, vrasja e një fëmije tronditi Gjermaninë Lindore. Një krim i tmerrshëm që u zgjidh në një mënyrë tejet origjinale dhe që e bëri atë të hyjë në historinë e kriminologjisë.

Më 28 janar 1981, një punëtor që punonte në binarët e hekurudhës në Schkeuditz gjeti një valixhe të vjetër ngjyrë kafe. Brenda, një zbulim makabër: kufoma e një fëmije të mbështjellë me një seri gazetash, që brenda ishin plot me fjalëkryqe të përfunduara.

Autopsia konstatoi se bëhej fjalë për Lars Bense-n, një djalë tetë vjeçar, zhdukja e të cilit ishte raportuar te stacioni i policisë, Volkpolizei, katërmbëdhjetë ditë më parë.

Hetimi për zhdukjen e Lars-it, i cili kishte qenë në kinema pranë shtëpisë së tij, nuk çoi në asnjë pistë. Por qeveria e Berlinit, nën presionin e trazirave që ky krim po shkaktonte në Gjermaninë Lindore (RDGJ), i kërkoi hetuesve zgjidhjen e çështjes me ngulm.

Ekipi hetimor vendosi të përqëndrohej në fjalëkryqet e gazetave të gjetura në valixhe. Pothuajse të gjitha ishin të përfunduara dhe për këtë arsye filluan të vlerësonin kaligrafinë e shkronjave.

Fillimisht policët mblodhën 21 mijë mostra kaligrafike nga njerëz të ndryshëm. Por asnjë provë konkrete e vrasjes nuk doli në pah.

Më pas policia e RDGJ shqyrtoi dokumentet e sigurimeve shoqërore dhe të regjistrit civil: kaluan nën këqyrjen e lentes 3 mijë kërkesa për strehim, 40 mijë regjistrime makinash, 250 mijë kërkesa për dokumente identiteti dhe 90 mijë kërkesa për telegrame.

Policia sekrete, Stasi, gjithashtu mori pjesë në operacion: bashkëpunëtorët e tij analizuan më shumë se 100 mijë dosje personale të kompanive të ndryshme. Me kërkesë të policisë, gazeta rajonale, Freiheit, nisi një konkurs bazuar në zgjidhjen e një fjalëkryqi të lehtë, duke shpërblyer me 10 marka lindore ata që do ishin në gjendje ta zgjidhnin.

Pionierët e shkollave mblodhën rreth 60 ton letër mbeturinash në rrugë dhe i paketuan duke regjistruar zonës nga vinin.

Së fundmi ekspertët kriminologë arritën në përfundimin se shkrimi i dorës ishte i një gruaje në moshë mesatare.

Ky monitorim i jashtëzakonshëm i të gjithë popullsisë përfundimisht drejtoi policinë në shtëpinë e zonjës Ingeborg Grüneberg, rreth 45 vjeçe, e cila jetonte pak metra nga shtëpia e Larsit të vogël.

Ingeborg ishte në të vërtetë autorja e fjalëkryqeve, por kriminologët thanë që nuk ishte ajo vrasësja.

Policia iu drejtua të dashurit të vajzës së saj: Mathias S., një djalë nëntëmbëdhjetë vjeç. Shumë pak kohë iu desh Mathias-it të rrëfente se çfarë kishte ndodhur më 15 janar 1981.

I qe afruar fëmijës, i cili po priste para kinemasë dhe, duke e ndjellur me lodra, e bindi që ta ndiqte në banesën e zonjës Grüneberg, ku ai e dhunoi atë fizikisht.

Nga frika se fëmija do të fliste, së pari e goditi me një çekiç në pjesën e pasme të kokës. Duke mos qenë  i sigurt se ai kishte vdekur, vazhdoi ta godiste disa herë  me thikë në zemër.

Zgjidhja e krimit përfundoi vetëm pas bashkimit të Gjermanisë. Vrasësi u dënua me dhjetë vjet në reformator e më pas me internim psikiatrik.

Hetimi ka hyrë në historinë e kriminalistikës si Krimi i fjalëkryqeve dhe mban rekordin e vlerësimeve të shkrimeve të dorës që ndonjëherë të të jenë kryer për zgjidhjen e një krimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore