Sport

Ekipi olimpik i Kosovës vaksinohet para udhëtimit për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”


E gjithë ekspedita e ekipit olimpik të Kosovës, që do të udhëtojë pas pak ditësh për në Tokio, ka kryer edhe dozën e dytë të vaksinimit anti-COVID, njofton Komiteti Olimpik i Kosovës.

Vaksinimi është bërë në koordinim me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, të cilët kanë rekomanduar që ekipet olimpike të udhëtojnë të vaksinuar drejt kryeqytetit të Japonisë.

Me këtë rast, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka falënderuar Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, si dhe stafin mjekësor për gjetjen e mirëkuptimit për të vaksinuar ekipin olimpik.

Ndërsa ekipi i xhudos e ka përfunduar më herët dozën e dytë të vaksinimit, pasi që ishin në udhëtime jashtë vendit për përgatitjen e Lojërave Olimpike.

Kujtojmë që Lojërat Olimpike “Tokio 2020” do të mbahen prej 23 korrik deri më 8 gusht në Tokio të Japonisë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore