Shqipëria

Sylvinho publikon listën e Kombëtares për Euro 2024 – Uzuni, Cikalleshi e Muja jashtë evropianit


Tekniku shqiptar Sylvinho i ka dhënë fund pritjes së tifozëve kuqezi, duke publikuar listën e Shqipërisë për në Euro 2024, ku nuk mungojnë edhe surprizat.

Me 27 lojtarë në gatishmëri të ekipit, braziliani ka zgjedhur të lerë jashtë emra në zë në fazën eliminatore, sidomos në repartin e sulmit, ku Myrto Uzuni e Sokol Cikalleshi janë lënë jashtë. Po ashtu, edhe Arbnor Muja, nuk do të jetë pjesë e evropianit, ashtu si Kejdi Bare dhe Arbnor Muçolli.

Lista ndërkohë, paraqitet e tillë:

Portierë – Etrit Berisha, Elhan Kastrati, Simon Simoni, Thomas Strakosha.

Mbrojtja – Naser Aliji, Arlind Ajeti, Ivan Balliu, Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Enea Mihaj, Mario Mitaj.

Mesfusha – Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Klaus Gjasula, Qazim Laçi, Ernest Muçi, Ylber Ramadani.

Sulmi – Jasir Asani, Armando Broja, Mirlind Daku, Arbër Hoxha, Rey Manaj, Taulant Seferi.

Megjithatë, duke qenë se rregullat e përcaktuara nga UEFA janë të tilla që 26 lojtarë mund të merren në Euro 2024, pritet edhe që një prej portierëve të lëshohet nga grumbullimi kryesor.

Vetë Sylvinho ka folur për të grumbulluarit, duke thënë qartësisht se të gjithë ata, të cilët janë thirrur, e kanë merituar.

Në veçanti, ka përmendur emrat e Abrashit dhe Medon Berishës, të cilët përbëjnë edhe një lloj surprize për grumbullimin kuqezi.

“Sa i përket Berishës dhe Abrashit, po them dy fjalë. Ne pamë edhe listën e Spanjës, e pamë se de La Fuente bëri zgjedhje të vështira. Abrashi është lojtari i mirë, është mesfushori i vetëm që ka luajtur në Evropianin 2016 nga lista. Medon Berishën e ndjekim prej kohësh, lojtar i talentuar. Vlerësoj edhe punën e bërë nga U21, siç kishim rastin e Mitaj.  Mendoj se Berisha mund të jetë gati për kombëtaren e madhe”.

Flet Sylvinho për shpalljen e listës kuqezi në Euro 2024: Nuk kemi kohë për eksperimente, të grumbulluarit e merituan

Po ashtu, duhet marrë parasysh edhe fakti se kjo është një listë paraprake dhe gjërat mundet edhe të ndryshojnë në tre javët në vijim, përpara fillimit të kampionatit evropian, por shumë pak gjasa ka – duke parë edhe eksperiencën e përgjithshme të ekipeve kombëtare ndër vite – që lojtarët të ndërrohen në këtë pikë të grumbullimit, përveç ndonjë lëndimi të mundshëm, i cili do të kërkonte zëvendësim të detyrueshëm.

Në bazë të listës paraprake, mund të thuhet gjithsesi se pak ndryshon nga skema standarde që Sylvinho ka përdorur gjatë kualifikuese, ku Shqipëria zuri vendin e parë në grup, duke arritur kualifikimin direkt historik, për të dytën herë drejt një kampionati evropian.

Ekipi duket i balancuar mes mbrojtjes së fortë dhe sulmit, i lidhur nga një mesfushë ku regjisori me shumë mundësi – ashtu si në kualifikuese – do të jetë Kristjan Asllani.

Kapiteni, Berat Gjimshiti, do të jetë lideri i mbrojtjes. Ndërsa sulmi, në rast se nuk vendoset aktivizimi i lojtarëve të rinj, do të mbetet ai i fantazisë së Nedim Bajramit, i cili vendoset pas sulmuesit kryesor, dhe krahëve nga Asani dhe Seferi.

Çfarë duhet parë ndërkaq është se kush do ta zërë vendin e sulmuesit kryesor, tashmë që Cikalleshi është lënë jashtë ekipi.

Daku ka qenë i pranishëm dhe ka shënuar në eliminatore. Por, nga ana tjetër, Armando Broja është talenti më i padiskutueshëm i Kombëtares dhe një futbollist elitar, i cili edhe pse nuk ka pasur shumë paraqitje me ekipin e parë, mbetet pika e referimit. Edhe Manaj ka kaluar një formë të shkëlqyer në Turqi, gjë që mund t’i japë epërsi në 11-shen kryesore.

Surprizë ndërkaq mund të cilësohet thirrja e Medon Berishës, kapitenit të ekipit U-21, i cili tashmë vishet kuqezi në ekipin kryesor – një ndër emrat më premtues për mesfushën shqiptare në vitet në vijim.

Lojtarët fillimisht do të grumbullohet në Shqipëri e më pas në fundin e muajit maj do të udhëtojnë drejt Austrisë.

Kombëtarja ka edhe dy ndeshje miqësore në program ndaj Lihtenshtejnit (3 qershor në orën 20:00) dhe Azerbajxhanit (7 qershor në orën 19:00), në “Haladas Sportkomplexum”.

Më datë 8 qershor kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Gjermanisë dhe do të zhvillojnë përgatitjet për finalet e Evropianit, në kampin bazë në “SportCentrum Kaiserau”, në afërsi të Dortmundit.

Kombëtarja shqiptare do të debutojë në finalet e Europianit “Gjermani 2024” më datë 15 qershor në takimin e parë ndaj Italisë, që do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “Signal Iduna Park” (Dortmund).

Ndeshjen e dytë të grupit kuqezinjtë do ta luajnë katër ditë më pas, më datë 19 qershor kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”.

Ndërsa takimin e fundit në grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore